Në Kosovë, sivjet ka pasur mungesë të theksueshme të pemëve të hershme, që rriten dhe kultivohen në arat dhe pemishtet tona, si rrjedhojë e dëmtimit nga moti i përshkuar edhe me ngrica në disa ditë të fundit të marsit dhe gjatë prillit. Prandaj, sivjet nuk pati as qershi, as vishnje vendore, dhe pati fare pak dredhëza të fermerëve tonë.
Buletini Ekonomik
Në tregjet e Kosovës, sivjet, dominojnë çmimet enorme të larta të produkteve bujqësore, sidomos të pemëve dhe të perimeve. Trendi i rritjes së cmimeve të prodhimeve bujqësore në Kosovë ka vazhduar me ritëm të përshpejtuar në të gjithë muajt e deritashëm.
Në bazë të çmimeve të shumë pemëve, sidomos të perimeve të shënuara në këtë periudhë, mund të konstatohet se çmimet e këtyre produkteve tashmë kanë kaluar ndjeshëm ato të vitit 2024. Duhet theksuar se në tregjet e Kosovës (tregjet e gjelbra dhe markete e supermarkete, ku më së shumti bëhet tregtimi i produkteve bujqësore), aktualisht çmimet e thuaja shumicës së produkteve bujqësore të freskëta, qofshin ato nga importi, qofshin nga arat dhe kopshtijet e Kosovës, kanë shkuar në stratosferë në këto ditë të qershorit 2025.
Tregtarët në tregjet e gjelbra të Kosovës, por edhe ata në markete e supermarkete, këmbëngulin se çmimet e larta të pemëve dhe perimeve janë ekskluzivisht rrjedhojë e çmimeve të larta në tregjet prej nga importohen këto produkte, por edhe mungesës së madhe të perimeve dhe sidomos të pemëve, nga arat dhe kopshtet e fermerëve të vendit.
Në bazë të çmimeve të shumë produkteve ushqimore të shënuara në këtë periudhë, mund të konstatohet se çmimet e këtyre produkteve, siç u tha më lartë, tashmë kanë kaluar ndjeshëm ato të vitit 2024, që sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), indeksi vjetor i përgjithshëm i çmimeve të prodhimeve bujqësore kishte rritje për 46,8 për qind në vitin 2024, krahasuar me vitin 2020. Ose, në vitin 2024, indeksi vjetor i çmimeve të prodhimeve bimore kishte rritje për 46,9 për qind, krahasuar me vitin 2020, ndërsa indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale kishte rritje për 46,5 për qind në vitin 2024, krahasuar me vitin 2020.
Duhet theksuar se në tregjet e Kosovës (tregjet e gjelbra dhe market e supermarkete, ku më së shumti bëhet tregtimi i produkteve bujqësore) aktualisht çmimet e thuaja shumicës së produkteve, qofshin ato nga importi, qofshin nga arat dhe kopshtijet e Kosovës, kanë shkuar në stratosferë gjatë tërë periudhës pesë mujore të këtij viti. Dhe nëse vazhdon rritja në këtë mënyrë, fare lehtësisht do të lënë nën hije çmimet e rritura të këtyre produkteve në vitet paraprake (në vitet 2020-2024, ngritje enorme çmimesh të produkteve bujqësore të trajtuara nga ASK-ja).
Dhe, trendi i ngritjes së çmimeve në tregjet e vendit ka vazhduar me ritëm agresiv në të gjithë muajt e deritashëm. Aktualisht vërehet një ulje dhe pak a shumë një stabilizim i çmimit të disa perimeve, sidomos të specave, domateve, lakrës dhe trangujve. Por, cilat janë shkaqet reale të çmimeve të larta të produkteve bujqësore në Kosovë?
Në Kosovë, sivjet kanë munguar tërësisht pemët e hershme, që rriten dhe kultivohen në arat dhe pemishtet tona, si rrjedhojë e dëmtimit nga moti i përshkuar dhe me ngrica në disa ditë të fundit të marsit dhe gjatë prillit. Në kohë të lulëzimit të qershive, vishnjeve, dredhëzave etj, mbajti për disa ditë ky mot dhe i dëmtoi tërësisht këto pemë.
“Prandaj, sivjet nuk pati as qershi, nuk as vishnje vendore, dhe pati fare pak dredhëza të fermerëve tonë”, thotë tregtari i vjetër prishtinas i pemëve dhe perimeve në tregun kryesor të gjelbër të Prishtinës.
Por, çmimet enorme të larta të pemëve dhe perimeve, si duket, nuk janë problem vetëm në Kosovë. Edhe në vendet fqinje, rreth e përqark Kosovës, ku pak a shumë gjatë marsit e prillit mbajtën temperatura të ftohta dhe me ngrica, dhe që ishin goxha befasuese për këtë periudhë, praktikisht, dominonin çmimet stratosferike të pemëve dhe të perimeve. Edhe te fqinjtë, hiç pak a shumë Greqinë, nuk ka në treg produkte të bollshme bujqësore, prandaj çmimet i dikton ligji i kërkesës dhe ofertës.
Edhe në vendet fqinje, siç shihet nga të dhënat dhe gjendja e tregjeve, kërkesa është ndjeshëm më e madhe se sa oferta për pemë, sidomos, por edhe për disa perime, prandaj dominojnë çmimet enorme të ngritura. Në Serbi, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, por edhe në Shqipëri, vende këto prej nga Kosova importon goxha shumë pemë dhe perime, pos dështimit të rendimenteve të qershive, vishnjeve dhe të dredhëzave, sivjet kanë pasur rendimente minimaliste edhe pjeshkët dhe kajsitë. Pas dështimit të rendimenteve të këtyre pemëve janë ngritur çmimet e tyre në qiell. Në këtë mënyrë, çmimet e produkteve bujqësore (të pemëve dhe perimeve) në këtë gjysmëvjetor kanë shënuar ndryshime të vërejtshme, duke dominuar ngritja e tyre te shumica e perimeve dhe të pemëve (hiç bananet, që nuk ka ndonjë ngritje enorme të çmimit krahasuar me bie fjala dhjetorin e 2024-tës, kur fillon sezoni i këtij fruti edhe te ne).
Te pemët bie në sy ngritja e ndjeshme e çmimit të mollëve. Dje, një kilogram i mollës së mirë nga importi (kryesisht nga Polonia), kushtonte nga 1,70-1,80 euro. Çmimi i mollëve ka ditë dhe javë që ngritet suksesivisht, derisa në tregjet e Kosovës ka kohë që mungojnë tërësisht mollët nga pemishtet e vendit. Nuk ka as mollë të pemëtarëve të njohur të Kovragës së Istogut. Të gjitha mollët janë nga importi.
Ndërkohë, cmimi i vezëve, i ngritur suksesivisht deri në fund të shkurtit, me fillimin e marsit, është ulur simbolikisht. Tani, në rrjetin e prodhuesit ndër më të njohurit të produkteve me origjinë shpezore, një komplet vezësh (30 copë vezë) të cilësuar si “kategoria e parë, tregtohet saktësisht me 3 euro. Ndërkohë, në markete dhe supermarkete, çmimi i vezëve, hiç të ashtuquajturat “aksione”, është edhe më i lartë. Pak a shumë, ka ditë që edhe spinaqi, (sipas tregtarëve, prodhim vendor) ka ringritje çmimi dhe tani kushton 2 euro një kilogram. /Buletini Ekonomik/











