Përfundimi i sezonit të korrje-shirjes së grurit në Kosovë është një moment që përçon më shumë sesa thjesht një përfundim pune në tokën e kultivuar – është dëshmi e traditës, përkushtimit dhe rëndësisë që kjo kulturë ka për ekonominë bujqësore të vendit.
Tokat e ‘Arta’ të Kosovës – Gruri i Kosovës, simbol i punës, por jo i vlerësuar sa duhet?
Gruri mbetet një ndër kulturat më të rëndësishme bujqësore në Kosovë, i lidhur ngushtë me sigurinë ushqimore dhe traditën shumëvjeçare të bujqësisë vendore. Sipërfaqet e mbjella me këtë kulturë zënë një përqindje të konsiderueshme të tokës së punueshme, ndërsa mijëra fermerë në mbarë vendin angazhohen çdo vit për të siguruar prodhimin e saj.
Këtë vit, falë kushteve të favorshme klimatike, korrja e grurit në shumë rajone ka nisur më herët se zakonisht. Ndërkohë edhe rendimentet janë raportuar të jenë të larta dhe cilësore – një tregues i investimit dhe kujdesit të vazhdueshëm të fermerëve në teknologji dhe praktika të mira bujqësore.
Megjithatë, përballë këtij suksesi agronomik qëndron një sfidë e vazhdueshme sipas faqes për bujqësi Agro Portal: çmimi i ulët i grurit në treg gjatë periudhës së korrje-shirjeve – që sic thonë ata po shkon vetëm 18 cent/kg.
Ata vlerësojnë se ndonëse rendimentet po rriten, çmimi i grurit për kilogram vazhdon të mbetet i papërfillshëm në raport me koston e prodhimit.
“Kjo disbalancë ekonomike po ndikon direkt në motivimin e fermerëve për të vazhduar punën në fushë. Pa një çmim të drejtë dhe të qëndrueshëm, edhe kultura më strategjike mund të kthehet në barrë për ata që e punojnë me përkushtim”, shkruajnë Agro Portal në vlerësimin e tyre.
Pa dyshim se kjo situatë kërkon vëmendje urgjente nga institucionet publike, grumbulluesit dhe përpunuesit, si dhe mbrojtje nga importet – për të krijuar një zinxhir vlere që respekton punën e fermerit dhe siguron shpërblim të drejtë për prodhimin e tij. /Buletini Ekonomik/













