Vera e sivjetshme ishte e bereqetshme për bujqit kosovarë. Sidomos u imponuan sipërfaqet e shtuara ndjeshëm me grurë dhe rendimentet e mira të kësaj kulture bujqësore me rëndësi strategjike dhe të mirëqenies së kosovarëve.
Buletini Ekonomik
Fushata e korrje-shirjeve në Kosovë tashmë ka arritur në fazën përfundimtare. Në Rrafshin e Dukagjinit, ku korrje-shirjet gjithnjë fillojnë për disa ditë më herët, ka ditë që ka përfunduar korrja e grurit, ndërsa në Rrafshin e Kosovës, ende në disa zona të larta, kanë mbetur sipërfaqe të vogla për korrje.
Duhet thënë se ishte verë e bereqetshme për bujqit kosovarë. Sidomos u imponuan sipërfaqet e shtuara ndjeshëm me grurë dhe rendimentet e mira të kësaj kësaj kulture bujqësore me rëndësi strategjike dhe të mirëqenies së kosovarëve. Në disa ara në rajone të ndryshme të vendit, janë shënuar rendimente edhe 6 deri në 7 tonë për hektar. Ndërsa, sipas deklarimeve të Ministrisë së Bujqësisë së Kosovës, të bëra në ditët e para të procesit të korrje-shirjes së grurit, pritej që rendimenti të jetë i kënaqshëm dhe i përafërt me atë nga viti i kaluar që ishte prej 4,871 kilogramë për një hektar.
Në shumicën e parcelave të grurit të sivjetshëm, prodhimi sillet nga 4, 500 deri në 5, 500 kilogramë për hektar, ose siç parashikojnë ekspertët, mesatarja pritet të jetë afërsisht pesë tonë për hektar.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë, “këtë vit sipërfaqja e mbjellë me grurë është gjithsej 74,753.06 ha, ndërsa në vitin 2024 kanë qenë me grurë 53,627.26 hektarë. Krahasuar me vitin e kaluar, sipas zyrtarëve, ka rritje të sipërfaqeve të mbjella me grurë për 21,125.80 hektarë.
Në këtë mënyrë, gruri ka vazhduar të jetë ndër kulturat kryesore bujqësore në vend, duke zënë diku prej 20 deri në 25 për qind të sipërfaqeve të përgjithshme të punuara, përfshirë këtu edhe misrin”.
Karrshi rendimenteve goxha të kënaqshme të grurit për rrethanat kosovare, në këtë fushatë të korrje – shirjeve dolën në pah edhe shqetësime serioze të fermerëve të shumtë kosovarë, sa i përket çmimit të sivjetshëm grumbullues për grurin e dorëzuar në mulli. Çmimi i sivjetshëm i grumbullimit të grurit prej 17-18 centësh, iështë vlerësuar si jo real dhe ndjeshëm larg pritshmërive të fermerëve. Edhe në krahasim me çmimin grumbullues të vitit të kaluar, çmimi I sivjetshëm është ndjeshëm më i ulët. Vjet gruri ka shkuar deri në 27 centë për një kilogram, ndërsa si çmim më standard ishte 22-23 centë për kilogram. Çmimi i kontestuar nga bujqit ishte shkak që një numër jo i vogël kultivuesish të grurit të hezitojnë për ta dorëzuar tani për tani grurin në mullinjë. Në këtë fushatë të korrje-shirjeve, në disa rajone të vendit, ka rënë në sy edhe refuzimi i mullinjve për të pranuar grurin nga sipërfaqet e vogla të mbjella me këtë kulturë. Thjesht, në disa mullinjë, janë refuzuar sasitë e vogëla të dorëzimit të grurit, pa ndonjë sqarim të detajuar. /Buletini Ekonomik/











