Riciklimi 25 vjeçar i dimrave me mungesa të theksueshme të energjisë elektrike në Kosovë

Mehmet Gjata

Parashikimet për një të ardhme të afërt energjetike në Kosovë janë të zymta. Konkretisht, dimri i sivjetshëm dhe ditët e ftohta që janë në prag, parashihen të jenë fare të paqarta dhe me shumë të panjohura, sa i përket furnizimit me energji të bollshme elektrike. Të gjitha faktet flasin se në Kosovë edhe në këtë dimër nuk do të ketë rrymë të mjaftueshme nga termocentralet e vendit.

Mehmet GJATA

Reklama e sponzorizuar

Në tryezën në kuadër të projektit “Varfëria energjetike në Kosovë II’, të organizuar nga INDEP, drejtori ekzekutiv i këtij Instituti, Burim Ejupi, tha se Kosova është në kufi të varfërisë energjetike, për shkak të shtrenjtimit të tarifave të rrymës.

Nëse tarifat e energjisë elektrike vazhdojnë të shtrenjtohen ndërsa pagat mbesin të pandryshuara, vendi mund të përballet me nivelin e varfërisë energjetike të vitit 2007”, tha ai.

Por, ekspertë të energjetikës brenda dhe jashtë KEK-ut, dhe njohës të tjerë të sektorit të energjetikës, janë edhe më pesimistë. Ata vlerësojnë se tashmë Kosova është futur me të ‘dyja këmbët” në zonën e varfërisë reale energjetike. Ndërkohë që parashikimet për një të ardhme të afërt energjetike në Kosovë, janë edhe më të zymta.

Konkretisht, dimri i sivjetshëm dhe ditët e ftohta që janë në prag, parashihen të jenë fare të paqarta dhe me shumë të panjohura, sa i përket furnizimit me energji të bollshme elektrike. Në Kosovë edhe në këtë dimër nuk do të ketë rrymë të mjaftueshme. Madje, nëse nuk do të ndodhë ndonjë ndryshim i parashikimeve, në këtë dimër do të ketë ndjeshëm më pak energji elektrike të prodhuar nga termocentralet e stërvjetruara të KEK-ut edhe për faktin tashmë të ditur se njëri bllok i termocentraleve Kosova B, me kapacitet 260 megavatë-orë, do të jetë jashtë prodhimit për shkak të riparimit të detajuar dhe më të gjithanshëm të turbinave dhe stabilimeteve të tjera të këtij blloku.

Siç dihet, rehabilitimi ose rekonstruktimi teknik i detajuar i turbinave të dy blloqeve të termocentraleve Kosova B do shumë kohë, respektivisht nga gjashtë muaj së paku për secilin bllok veç e veç.. Në prill të këtij viti ka filluar rekonstruktimi i thellë i bllokut B2 të termocentraleve Kosova B, që nëse përmbushen të gjitha parashikimet e KEK-ut, këto punë rehabilituese duhet të përfundojnë në muajin e ardhshëm, në tetor pra. Dhe me të finalizuar riparimet në këtë bllok dhe me rikthimin e tij në prodhim, do të shkojë në po të njëjtin rehabilitim për gjashtë muaj me radhë blloku tjetër. Kjo do të thotë se Kosova, krahasuar me vitin e kaluar, do të ketë 260 megavatë-orë më pak energji të veten. Ose, Kosova do të ketë gjatë dimrit të pritshëm gjithsej 520 megavatë energji elektrike nga termocentralet e veta (260 megavatë nga njëri bllok i Kosovës B dhe përafërsisht po kaq nga dy blloqe të Kosovës A, ose nga 130 megavatë nga secili bllok veç e veç të këtij termocentrali), plus dhjetëra megavatë nga kapacitetet modeste të energjisë së rinovueshme.

Parashikimet për mungesa të paralajmëruara të energjisë elektrike në periudhën e dimrit në Kosovë, mbështeten, siç u tha, në kapacitetet e stërvjetëruara të mundshme të prodhimit në vend (një bllok i Kosovës dhe dy blloqet të Kosovës A) dhe të kapaciteteve modeste të energjisë së rinovueshme. Sipas ekspertëve, sivjet nuk duhet pritur shumë as nga këmbimi i energjisë elektrike me Shqipërinë, për shkak të rënies së rezervave ujore në liqenet akumuluese të Kaskadës së Drinit, por edhe për shkakun se sivjet, deri në këtë kohë, Kosova nuk ka arritur të deponojë në KESH ndonjë sasi për t’u përmendur të rrymës. Prandaj, parashikimet e njohësve të mirë të zhvillimeve energjetike, edhe të inxhinierëve me përvojë në KEK, të mbështetura, gjithsesi, në kapacitetet ekzistuese të prodhimit të rrymës, por edhe të gjendjes së rezervave të ujit në Shqipëri, dalin të jenë pesimiste sa i përket furnizimit me rrymë të konsumit të Kosovës gjatë ditëve dhe javëve të ftohta të dimrit të pritshëm.

Shumica e zërave që janë të preokupuar me situatën elektroenergjetike në vend në muajt në vijim, parashohin se do të ketë mungesë evidente të energjisë, dhe sipas tyre, do të ishte fat i mirë të ketë sa më pak mungesë dhe sa më pak restriksione të rrymës në këta muaj. Ekspertët sugjerojnë se sivjet nuk duhet pritur shumë as nga këmbimi i energjisë elektrike me Shqipërinë, për shkak të mungesës për muaj të tërë gjatë verës të të reshurave të shiut dhe rënies së rezervave ujore në liqenet akumuluese të Kaskadës së Drinit, por edhe për shkakun se sivjet deri në këtë kohë Kosova nuk ka arritë të deponojë në KESH ndonjë sasi për t’u përmendur të rrymës, siç kishte ndodhur vite më parë, kur në këtë kohë rezervat e deponuara nga KEK-u në KESH tejkalonin 160 mijë megavatë/orëshin. KEK-u pra, sivjet për shkak të renovimeve të detajuara dhe të stërgjatura në blloqet e Kosovës B dhe riparimeve të shpeshta për ruajtje të freskisë së njësive të termocentraleve të stërvjetruara të Kosovës A për sezonin dimëror, praktikisht gjatë gjithë verës ka prodhuar vetëm rreth 500-520 megavat-orë rrymë, plus dhjetëra megavatë nga kapacitetet e rinovueshme. Kjo sasi e rrymës mezi ka përmbushur nevojat e konsumit të Kosovës edhe gjatë muajve të verës, kur ky konsum është ndjeshëm më i ulët se sa dimrit. Prandaj, gjatë kësaj vere, Kosova nuk pati shumë energji elektrike, pos në raste dhe në orët e natës, për të deponuar atë në Shqipëri. Dhe, këto janë arsyet pse nuk duhet të llogaritet shumë në energjinë nga KESH-i gjatë sezonit të dimrit, edhe nëse përmirësohet situata e rezervave të ujit në liqenet akumuluese të hidrocentraleve shqiptare.

Ndërkohë që dihet se në vitin e kaluar, krahas dimrit të butë fare, energjia në sasi të madhe nga Shqipëria, që vinte si kthim borxhi, por edhe si huazim në muajt e fundit të dimrit të kaluar, ishte stabilizatori dhe shpëtimi për sistemin elektroenergjetik të Kosovës. Ekspertët, duke e pasur për bazë gjendjen aktuale dhe të pritshme të termocentraleve të KEK-ut, nuk fshehin skepticizmin sa i përket furnizimit të konsumit të vendit në periudhën e acartë me energji elektrike. Sipas tyre, edhe po qe se kapacitetet potencialisht të mundshme për të prodhuar në KEK (njëra njësi e Kosovës B dhe dy blloqet e Kosovës A) gjatë dimrit do të operonin thuaja në mënyrën ideale, pa ndonjë prishje të madhe teknike dhe pa ndonjë ndërpreje të gjatë, prap se prap do të ndihet mungesa e rrymës për shkak të rritjes enorme të shpenzimit dimëror. Llogaria për mungesë evidente të energjisë elektrike në këtë dimër del e qartë: nuk mjaftojnë as për së afërmi 520 megavatë orë, plus dhjetëra megavatë nga kapacitetet e energjisë së rinovuehme për të përmbushur nevojat e rritura të konsumit të Kosovës gjatë dimrit. Sepse, siç dihet, konsumi i energjisë eketrike, për shkak të temperaturave të acarta që në Kosovën kontinentale tipike dinë të mbajnë me javë të tëra, në dimrat e fundit ka shkuar në mbi 1.100 dhe 1.200 megavatë, dhe në raste ka tejkaluar edhe 1.300 megavatëshin. Pak a shumë, i bie që gjatë dimrit, në rrethanat më të mira, Kosovës përditë do t’i mungojnë nga 600 e përtej megavatë-orë të rrymës, ndërsa në rrethanat e këqija, kur kaplojnë ngricat dhe të ftohtit e madh, askush nuk është në gjendje të parashikojë se sa megavatë plus i duhen konsumit të Kosovës. Është çështje se a do të ketë Kosova para të mjaftueshme për të importuar këtë sasi të rrymës, kur përvojat nga vitet e fundit, sidomos pas shpërfaqjës së krizës globale energjetike, na kanë bërë me kohë me dije, se çmimi i rrymës në tregjet ndërkombëtare në ditët e ftohta di të jetë “i kripur” dhe në stratosferë.

Sido që të jetë, importi i energjisë elektrike gjatë shumë ditëve të dimrit që po vjen do të jetë i kushtëzuar, doemos. Alternativë tjetër për ta zbutur mungesën e rrymës dhe importin e papërballueshëm gjatë dimrit mbetet, gjithsesi, kursimi dhe përkushtimi i konsumatorëve për të racionalizuar shpenzimin e rrymës gjithkund ku është e mundshme. Shpenzimi racional i rrymës, ose kursimi i këtij produkti të shtrenjtë gjithnjë ku ka mundësi të bëhet, mbetet alternativa më e pranueshme, më e zbatueshme lehtësisht dhe me shumë efekte në zbutjen e mungesës së energjisë elektrike dhe në kursimin e parave të shtetit, të cilat do të shkonin për importin e rrymës. Prandaj, kosovarët (sipas statistikave, më së shumti energji elektrike në Kosovë shpenzon sektori i amvisërisë, me rreth 40 për qind të konsumit të përgjithshëm) duhet të jenë koshientë dhe të përgjegjshëm për situatën e pritshme energjetike gjatë dimrit 2025/2026.

Gjendja, pak a shumë reale është kjo që u përshkrua më sipër. Do të kemi një dimër të pritshëm të vështirë, një dimër me goxha të panjohura, por, gjithsesi, me mungesë të energjisë së bollshme elektrike. Dhe, nuk kemi zgjidhje tjetër, pos të importojmë mungesat e energjisë elektrike me çmime stratosferike në tregjet ndërkombëtare të energjisë gjatë dimrit dhe të kursejmë sa më shumë që të mundemi. Gjithsesi, duhet të jemi të gatshëm të ‘pranojmë’ edhe ndonjë ditë me terr. Nuk ka zgjidhje tjetër momentalisht në Kosovë, sa i përket sigurisë për të pasur mjaftueshëm rrymë, dhe kjo gjendje po riciklohet tash e 25 vjetë nga të gjitha qeveritë e deritashme dhe autoritet e deritashme kompetente, për t’ia siguruar Kosovës rrymën e mjafteshme edhe gjatë dimrit. /Buletini Ekonomik/