Home Ekonomi Mbahet takimi i grupit për bashkimin e tregjeve të energjisë në rajon

Mbahet takimi i grupit për bashkimin e tregjeve të energjisë në rajon

Është mbajtur takimi i radhës i grupit implementues për Bashkimin e Tregjeve të Energjisë Elektrike ndërmjet Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.

Ky takim u mbajt nën udhëheqjen e Kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), Ymer Fejzullahu, njëkohësisht edhe udhëheqës i Grupit Implementues të Projektit për Bashkimin e Tregut të Energjisë Elektrike ndërmjet Republikës së Kosovës, Republikës së Shqipërisë, Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.

Sipas njoftimit nga ZRrE, gjatë takimit u trajtuan çështje kyçe që lidhen me ecurinë e bashkëpunimit teknik dhe institucional ndërmjet palëve pjesëmarrëse.

Reklama e sponzorizuar

Anëtarët e Grupit Implementues me këtë rast diskutuan propozimin e fundit të Agjencisë së Bashkimit Evropian për Bashkëpunimin e Rregullatorëve të Energjisë (ACER) lidhur me qëndrimin mbi Kalkulimin e Kapaciteteve Regjionale (CCR).

“Pas diskutimeve, anëtarët e grupit u pajtuan të mbështesin Operatorët e Sistemit të Transmisionit (OST) në përpjekjet e tyre për përditësimin e metodologjive të Kalkulimit të Kapaciteteve Regjionale (CCR) në rajonin e Evropës Juglindore (SEE), në të gjithë kufijtë e zonave ofertuese të shteteve përkatëse”, thuhet në njoftimin e ZRrE-së.

Gjithashtu, në këtë takim u shqyrtuan zhvillimet më të fundit në procesin e aderimit në projektin Italian Borders Working Table (IBWT), si dhe u diskutua progresi në transpozimin e paketës së legjislacionit evropian për integrimin e tregut të energjisë në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.

Në përfundim të takimit, anëtarët e Grupit Implementues shprehën përkushtimin e tyre të plotë për integrimin e tregjeve energjetike dhe ndërtimin e një tregu energjetik rajonal më efikas dhe të qëndrueshëm, që do të kontribuojë në rritjen e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së furnizimit me energji në gjithë rajonin. /Buletini Ekonomik/