Kosova anëtarësohet në organizatën ndërkombëtare të akreditimit ‘GAC’ – “një hap i rëndësishëm për eksportin dhe cilësinë e produkteve”

Në takimin vjetor të Akreditimit që po mbahet këtë javë në Bangkok të Tajlandës, Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit e Kosovës (DAK) është anëtarësuar si anëtar i asociuar në organizatën ndërkombëtare “Global Accreditation Cooperation Incorporated (GAC)”.

Sipas Ministrisë së Industrisë, anëtarësimi ofron përfitime të shumta për sistemin kombëtar të akreditimit, përfshirë:

  • Kontribut në zhvillimin e politikave dhe kërkesave teknike ndërkombëtare;

    Reklama e sponzorizuar
  • Ndërtimin e marrëdhënieve me organizatat homologe të shteteve të tjera;

  • Trajnime, punëtori dhe webinare për forcimin e kapaciteteve të akreditimit; si dhe

  • Përgatitje për nënshkrimin e Marrëveshjes së Njohjes së Akreditimit në nivel global.

“Përfitimet e mundshme nga anëtarësimi në këtë organizatë janë: fuqizimi i subjektivitetit ndërkombëtar dhe kredibilitetit, që tregon përkushtimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit ndaj standardeve dhe njohjes ndërkombëtare; Krijimi i lidhjeve globale, duke u rrjetëzuar me organizatat e akreditimit dhe aktorët e njohur në nivel ndërkombëtar; njohuri nga praktikat tjera, që kanë qasje në praktikat më të mira dhe njohuritë për politika dhe ekspertizën teknike nga nënshkruesit e marrëveshjeve për njohje të akreditimit (MRA) në mbarë botën; përgatitje për marrëveshjen e njohjes, që do të thotë mësimi i proceseve dhe pritshmëritë dhe kërkesat për të arritur statusin e nënshkruesit të Marrëveshjes së Njohjes së Akreditimit në nivel ndërkombëtar, ndërtim kapacitetesh, që nënkupton përfitim nga trajnimet teknike dhe punëtoritë, ngjarjet ndërkombëtare të akreditimit dhe mundësitë e mentorimit bilateral; krijimi i mundësive të bashkëpunimi, duke bashkëpunuar me organizata homologe të Akreditimit në projekte të përbashkëta dhe shkëmbime teknike”, thuhet në njoftim.

Ministria thekson se ky proces është i rëndësishëm për ekonominë vendore, pasi akreditimi shërben si “pasaportë” për produktet dhe shërbimet kosovare në tregjet ndërkombëtare dhe garanton cilësinë dhe sigurinë për konsumatorët.

“Roli në tregun vendor është se akreditimi e vërteton cilësinë në procesin e prodhimit dhe shërbimeve, si dhe sigurinë për konsumatorët. Këtë e arrin duke e konfirmuar zbatimin e standardeve relevante ndërkombëtare në këto procese nga operatorët”, shkruan në njoftim ministria.

Në këto takime, DAK po përfaqësohet nga Drejtori i Përgjithshëm, Irfan Lipovica. /Buletini Ekonomik/