GAP: Shkelje gjinore dhe etnike në mbështetjen financiare për bizneset në Kosovë, vetëm 7% e grave përfitojnë

Instituti GAP ka publikuar sot raportin “Forcimi i mbështetjes financiare për bizneset në pronësi të grave dhe pakicave etnike në Kosovë”, duke nxjerrë në pah pabarazitë gjinore dhe etnike në programet e mbështetjes për biznese.

Sipas raportit, vetëm 7% e bizneseve të grave dhe 8% të pakicave etnike kanë përfituar ndonjë formë mbështetjeje nga institucionet publike, përcjell Buletini Ekonomik.

Në programet e Ministrisë së Bujqësisë, gratë morën vetëm 12% të subvencioneve gjatë viteve 2018–2024, ndërsa në programet e Ministrisë së Industrisë, përfitimi i grave arriti 16% të granteve. Ndërkohë, në nivel lokal, përfshirja është edhe më e ulët: vetëm 4% e grave dhe 8% e pakicave kanë marrë ndonjë mbështetje nga komunat.

Reklama e sponzorizuar

Drejtori Ekzekutiv i GAP, Blendi Hasaj, tha se fuqizimi ekonomik i grave dhe pakicave është i rëndësishëm dhe kërkon trajtim të vazhdueshëm.

“Raporti jep një pasqyrë të qartë të numrit, profilit dhe shtrirjes së bizneseve të grave, sfidave që ata përballen dhe qasjes në fonde publike, të cilat aktualisht janë të pamjaftueshme”, u shpreh ai.

Raporti tregon gjithashtu se programet e organizatave joqeveritare janë më të qasshme dhe efektive, me rreth 10% të grave dhe 8% të përfaqësuesve të pakicave që kanë përfituar grante.

Në anën tjetër, Besnik Berisha nga Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK), theksoi rëndësinë e garancive financiare për gratë në biznes: “Deri në 70% e kredisë mund të garantohet për ndërmarrjet në bashkëpronësi të grave, duke zbutur problemin kryesor që është mungesa e kolateralit.”

Raporti është mbështetur edhe nga Friedrich-Ebert-Stiftung Kosovo dhe nxjerr nevojën për politika më gjithëpërfshirëse dhe mbështetje konkrete për bizneset në pronësi të grave dhe pakicave etnike. /Buletini Ekonomik/