UNICEF dhe BERZH bashkojnë forcat për fuqizimin e të rinjve në tranzicionin e gjelbër në Kosovë

UNICEF-i në Kosovë dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi (MoU) për të forcuar angazhimin e të rinjve në efiçiencën e energjisë, zhvillimin e shkathtësive dhe përdorimin e të dhënave për politika të qëndrueshme në Kosovë.

Ky memorandum, i bazuar në partneritetin global mes dy institucioneve, shënon fillimin e një bashkëpunimi strategjik që synon ta kthejë rininë kosovare në agjentë aktivë të ndryshimit për tranzicionin e gjelbër.

“Kjo nismë vendos një kornizë të përbashkët për bashkëpunim ndërmjet qeverisë, sektorit privat, shoqërisë civile dhe të rinjve, për të avancuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe për të fuqizuar investimet në kapitalin njerëzor,” thuhet në komunikatën e përbashkët të BERZH-it dhe UNICEF-it.

Reklama e sponzorizuar

Sipas njoftimit, partneriteti do të fokusohet në tri fusha kryesore:

  1. Angazhimi i të rinjve për tranzicionin e gjelbër – përfshirja e të rinjve në projektet e BERZH-it për efiçiencë energjetike, përmes bashkëpunimit me Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) dhe nismës Green Rising të UNICEF-it.

  2. Zhvillimi i shkathtësive dhe sipërmarrjes – forcimi i aftësive profesionale dhe sipërmarrëse të të rinjve për karriera të gjelbra, në bashkëpunim me programe ekzistuese si UPSHIFT, PONDER, PODIUM dhe Kosovo Generation Unlimited.

  3. Gjenerimi dhe përdorimi i të dhënave – bashkëpunim për mbledhjen dhe analizimin e të dhënave që mbështesin investimet dhe hartimin e politikave, përfshirë edhe përdorimin e Anketës së Treguesve të Shumëfishtë (MICS).

Përmes këtij partneriteti, Kosova pozicionohet si udhëheqëse në rajonin e Ballkanit Perëndimor për nisma që ndërthurin zhvillimin e të rinjve me tranzicionin e gjelbër dhe ekonominë e qëndrueshme.

BERZH-i dhe UNICEF-i në Kosovë do të monitorojnë progresin e aktiviteteve, do të angazhojnë partnerë të rinj dhe do të ndajnë rezultatet me synimin për të zgjeruar modelet e suksesshme në mbarë rajonin. /Buletini Ekonomik/