Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka përfunduar investimin më të madh në më shumë se katër dekada, duke modernizuar turbinën e njësisë B2 të Termocentralit “Kosova B”.
Sipas Rizvanollit, pas përfundimit të punimeve, kapaciteti i njësisë është rritur për 35 megavat, ndërsa jetëgjatësia e saj është zgjatur edhe për 20 vite.
“Ky është një investim që garanton prodhim të qëndrueshëm dhe më efikas të energjisë për shumë vite. Për çdo megavat-orë tani digjet 1.15 ton qymyr, krahasuar me 1.3 ton sa ishte më herët”, ka thënë ministrja në një postim në Facebook.
Ajo ka rikujtuar se prishja e kësaj turbine në dhjetor të vitit 2021, në kulmin e krizës energjetike, i kishte kushtuar Kosovës rreth 50 milionë euro importe shtesë të energjisë vetëm për atë muaj.
Rizvanolli ka theksuar se investimi i realizuar këtë vit do të ndihmojë në shmangien ose minimizimin e prishjeve të ngjashme në të ardhmen.
“Kur ka vizion, seriozitet dhe angazhim, rezultatet afatgjata vijnë – edhe pse jo gjithmonë menjëherë. Ndalja e bllokut B2 për më shumë se gjashtë muaj sivjet ishte një sakrificë e domosdoshme për të ardhmen tonë dhe për brezat që vijnë,” ka shtuar ajo.
Në fund, ministrja ka falënderuar ekipet e KEK-ut dhe të gjithë të përfshirët që nga faza e kontraktimit e deri te mbikëqyrja e punimeve, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional për modernizimin e sektorit energjetik në vend.









