Gazetari i Buletinit Ekonomik, Agon Sinanaj është shpërblyer me çmimin vjetor për gazetari “Rexhai Surroi”, që ndahet nga Grupi Koha.
Sinanaj është shpërblyer për hulumtimin në seri që prek temën e tregtisë me energjinë elektrike dhe monopolin në bartjen e energjisë elektrike, i cili i ka rritur faturat e energjisë.
Sinanaj ka thënë se ndihet i nderuar që po e pranon këtë çmim për dy arsye.
“Ndihem shumë i nderuar që po e pranoj çmimin ‘Rexhai Surroi’ për gazetari të shkruar, ky çmim e ka një domethënie të dyfishtë për mua, e para që po vlerësohet puna ime njëvjeçare në një sektor kompleks si ai i energjisë, e e dyta që po e pranoj një çmim që e vlerëson gazetarinë e shkruar”, ka thënë ndër të tjera ai.
Çmimi “Rexhai Surroi” për gazetari të shkruar, këtë vit, është ndarë edhe për gazetaren e Grupit Koha, Vlerë Mehmeti për tekstin që prek një tjetër temë të ndjeshme, atë për personat me aftësi të kufizuara që nuk kanë marrë mbështetje në shërbimet e nevojshme bazike.










