ARKEP pa rregull të prerë, operatorët me politika të ndryshme për internetin e pashfrytëzuar

Përdoruesit e telefonisë mobile në Kosovë, përveç tarifimeve standarde “Pay as you go” pas skadimit të pakove mujore, po përballen edhe me humbjen e megabajtëve të internetit të pashfrytëzuar.

Buletini Ekonomik

Dy operatorët mobilë në Kosovë, Vala dhe IPKO, praktikojnë politika të ndryshme për pakot mujore telefonike. Përderisa ARKEP, në rregulloret që përcaktojnë kushtet e kontratave me konsumatorët, nuk ka nxjerrë një vendim të prerë që obligon ose ndalon bartjen e megabajtëve të pashfrytëzuar, mënyra e funksionimit të këtyre pakove u është lënë në diskrecion vetë operatorëve.

Reklama e sponzorizuar

Si rezultat, secili operator aplikon rregulla të ndryshme për ruajtjen ose humbjen e internetit pas skadimit të pakove mujore.

Sipas të dhënave të siguruara nga Buletini Ekonomik, IPKO nuk u mundëson përdoruesve bartjen automatike të gigabajtëve të pashfrytëzuar pas skadimit të pakos mujore. Në shumicën e rasteve, interneti i mbetur humbet menjëherë sapo përfundon afati i ofertës.

Sipas përgjigjes zyrtare të IPKO, benefitet e përfshira në pakot mujore dhe ato me parapagim vlejnë vetëm brenda periudhës së përcaktuar të pakos.

“Kushtet e përdorimit, vlefshmëria dhe mënyra e funksionimit të pakove janë të përcaktuara qartë në dokumentacionin kontraktual dhe materialet informuese të publikuara nga IPKO”, thuhet në përgjigjen e kompanisë.

Megjithatë, nga komunikimet shtesë të siguruara nga Buletini Ekonomik, del se përdoruesit me kontratë mujore nuk e ruajnë internetin e mbetur në asnjë rast.

“Në pakot mujore me kontratë interneti (Infinit) nuk ruhet fare. Çdo herë me të parin resetohen megabajtët. Vetëm te pakot Tip, që janë pa kontratë – 6.99 euro me validitet 21 ditë, si dhe 7.99 dhe 9.99 euro me validitet 30 ditë – interneti ruhet nëse pakoja mbushet një ditë para skadimit të afatit”, kanë thënë nga IPKO në prononcimin e tyre me zë.

Pra, në disa pako pa kontratë interneti ruhet vetëm nëse pagesa e re bëhet një ditë para skadimit të ofertës. Në të kundërtën, megabajtët bien në zero.

Lexo edhe:

Operatorët i ngarkuan qytetarët me tarifë mbi limitin prej 20 euro për internet jashtë pakos, dy qytetarë fitojnë rastet në ARKEP

Ndryshe nga IPKO, operatori Vala u jep përdoruesve më shumë hapësirë për të ruajtur internetin e pashfrytëzuar.

Në përgjigjen për Buletinin Ekonomik, Vala sqaron se bartja e benefiteve bëhet nëse klienti aktivizon një pako të re të njëjtë brenda afatit të përcaktuar pas skadimit të pakos ekzistuese.

Sipas kompanisë, ky model është praktikë standarde në industrinë e telekomunikacionit dhe lidhet me menaxhimin e cikleve të përdorimit dhe resurseve të rrjetit.

Nga sqarimet shtesë të dhëna për Buletinin Ekonomik, bëhet e ditur se Vala e ruan internetin e mbetur në të gjitha pakot, nëse merret e njëjta pako, dhe u jep përdoruesve mundësi që ta bartin atë edhe deri në 24 orë pas skadimit të ofertës mujore.

“Po, Vala e ruan internetin në të gjitha pakot dhe e mban aktiv edhe 24 orë pas skadimit të pakos. Kjo vlen për pakot M, L, XL dhe XXL, nëse merret pakoja e njëjtë”, thonë nga Vala.

Megjithatë, operatori thotë se nuk përjashton mundësinë e ndryshimeve të ardhshme në politikat e bartjes së benefiteve.

Çfarë thotë rregullorja e ARKEP-it?

Rregullorja e ARKEP parasheh që operatorët duhet t’i informojnë qartë konsumatorët për mënyrën e funksionimit të pakove tarifore, përfshirë edhe mundësinë e bartjes së komunikimeve të papërdorura nga një periudhë faturimi në tjetrën.

Në nenin 6 të “Rregullores nr. 61 për kontratat, transparencën, publikimin e informatave dhe masat tjera mbrojtëse për përdoruesit fundorë të shërbimeve të komunikimeve elektronike”, shpjegohet se bartja e megabajtëve mund të bëhet vetëm nëse kjo mundësi është e përfshirë në kontratë ose në kushtet e ofertës.

Më saktësisht, në pikën 3.2 thuhet:

“Në rastin e planit ose planeve tarifore me sasi të paracaktuar të komunikimeve, mundësia që konsumatorët të bartin sasinë e papërdorur nga periudha e mëparshme e faturimit në periudhën pasuese të faturimit, nëse kjo mundësi përfshihet në kontratë.”

Kjo do të thotë se ARKEP nuk ua obligon operatorëve bartjen e megabajtëve të pashfrytëzuar, por kërkon që kushtet dhe kufizimet të specifikohen qartë në kontrata dhe në ofertat për konsumatorët.

Operatorët në Kosovë thonë se këtë transparencë e komunikojnë përmes ëebfaqeve zyrtare, përshkrimeve të ofertave, materialeve promocionale dhe kushteve të përgjithshme të përdorimit të shërbimeve.

Megjithatë, praktika e humbjes së internetit të pashfrytëzuar vazhdon të mbetet një nga ankesat më të shpeshta të përdoruesve të telefonisë mobile në Kosovë, sidomos te ata që paguajnë pako mujore me kapacitete të mëdha.

Në këtë situatë, ku operatorët aplikojnë politika të ndryshme dhe nuk ekziston një standard i unifikuar për bartjen e internetit të mbetur, konsumatorët mbeten të detyruar të lexojnë me kujdes kushtet e secilës pako për të kuptuar nëse mega/gigabajtët ruhen apo humbin pas skadimit të ofertës. /Buletini Ekonomik/

Lexoni për më shumë hulumtimin e plotë për tarifimet standarde pas skadimit të pakove mujore telefonike:

Tarifimi “i fshehtë” pas skadimit të pakove për përdoruesit e telefonisë mobile në Kosovë