Pjesën dërrmuese të fluksit së turistëve në Shqipëri vijojnë ta mbajnë vendet e rajonit, veçanërisht Kosova, Italia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Greqia. Gjatë periudhës janar-nëntor, vetëm nga Kosova janë regjistruar mbi 4.4 milionë hyrje, me një rritje prej 5.2%, duke konfirmuar peshën vendimtare të lëvizjeve ndërkufitare dhe të diasporës.
Mbi 700 mijë të huaj më shumë kanë hyrë në Shqipëri përgjatë periudhës janar-nëntor të këtij viti, krahasuar me një vit më parë.
Vetëm nga Kosova janë regjistruar mbi 4.4 milionë hyrje, me një rritje prej 5.2%, duke konfirmuar peshën vendimtare të lëvizjeve ndërkufitare dhe të diasporës.
Në rritje janë shënuar edhe hyrjet nga Italia, me mbi 1.18 milionë shtetas dhe një rritje vjetore prej 2.3%.
Me rritjen dyshifrore më të lartë, krahasuar me një vit më parë mund të përmendim hyrjet nga Argjentina, Bosnje Hercegovina, Belgjika, Brazili, Kanadaja, Zvicra, Gjermania, Danimarka, Estonia, Egjipti, Franca, Greqia, Hungaria, Irlanda, Luksmeburgu, India dhe Ukraina. Mes renditjes gjejmë edhe me vende me rritje treshifrore si rasti i hyrjeve nga Izraeli, shteti me rritjen më të lartë prej 591%.
Në kontrast me këtë prirje, disa vende të Europës Lindore dhe të tjera kanë shënuar rënie të hyrjeve. Polonia, Rumania, Rusia, Bjellorusia, Spanja, Letonia dhe Turqia rezultojnë me ulje krahasuar me një vit më parë, ndërsa kategoria “vende të tjera të botës” ka pësuar rënie mbi 10%. Këto luhatje tregojnë një ndryshim gradual të profilit të hyrjeve sipas origjinës gjeografike.
Në tërësi, të dhënat e 11-të muajve të parë tregojnë një rritje të qëndrueshme të hyrjeve në vend, por me dallime të theksuara mes shteteve dhe rajoneve, ka transmetuar Scantv. Tendenca konfirmon rëndësinë e vendeve fqinje dhe të Europës Perëndimore në strukturën e fluksit, ndërsa disa tregje të tjera mbeten më të paqëndrueshme./Scan tv/









