Demi: Mbi 90 mijë familje përfituese të subvencioneve për energji, sinjal për rritje të varfërisë në Kosovë

Euro

Mbi 90 mijë familje në Kosovë kanë përfituar subvencione për pagesën e faturave të energjisë elektrike, sipas deklarimeve të Ministrit të Financave. Familjet e cilësuara si të cenueshme, sipas përkufizimit institucional, konsiderohen familje të varfra ose në kufi të varfërisë.

Duke iu referuar këtyre të dhënave, Agron Demi, kryetar i Institutit Atlas, vlerëson se shifrat paraqesin një tregues të qartë të rritjes së varfërisë në Kosovë. Sipas tij, në bazë të regjistrimit të fundit të popullsisë, në vend janë rreth 353 mijë familje, që nënkupton se rreth 25.5 për qind e tyre ndodhen në një gjendje të tillë financiare që kërkon subvencionim për shpenzimet bazë, si energjia elektrike.

Demi rikujton se matja e fundit zyrtare e varfërisë në Kosovë është realizuar në vitin 2017, kur shkalla e varfërisë ishte rreth 17 për qind. Që nga ajo kohë, Kosova ka kaluar përmes pandemisë COVID-19 dhe krizës së rritjes së çmimeve, pa pasur një matje të re të varfërisë.

Reklama e sponzorizuar

“Konstatimi i bërë nga Ministria e Financave për numrin e familjeve të subvencionuara tregon se varfëria është në rritje, një trend që po vërehet edhe në shumë vende të tjera pas pandemisë,” ka theksuar Demi.

Ai ka bërë thirrje që institucionet të realizojnë matje të reja dhe të rregullta të varfërisë, në mënyrë që politikat publike dhe masat mbështetëse të bazohen në të dhëna të sakta dhe aktuale.