“Prince Caffe” e Devolli Corporation rezulton me prani të substancave të rrezikshme në Kroaci, reagon AUV

Një sinjalizim alarmi është publikuar nga sistemi RASFF i Komisionit Evropian, ku raportohet se kafeja “Prince Caffe” e kompanisë Devolli Corporation ka rezultuar me prani të akrilamideve në Kroaci.

Ky njoftim është bërë publik edhe nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK).

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njofton opinionin publik se përmes sistemit të alarmimit të shpejtë RASFF, është pranuar njoftimi nr. 2025.10458 për prani të nivelit të lartë të Acrylamide në produktin kafe e bluar “Caffe Monaco” 400 gr., me origjinë nga Kosova dhe eksportues DEVOLLI Corporation. AUV bashkë me institucionet përkatëse po ndërmarrin veprimet e nevojshme sipas ligjeve në fuqi”, thuhet në njoftimin e AUV.

Reklama e sponzorizuar

Në njoftim thuhet se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë vazhdon të monitoroj situatën me kujdes të shtuar dhe të bashkëpunojë ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare si dhe me bizneset për të siguruar ushqim të sigurt dhe në përputhje me standardet evropiane.

Megjithatë, në komunikimin zyrtar nuk jepet asnjë sqarim nëse është ndërmarrë ndonjë masë konkrete për tërheqjen e produktit nga tregu, nëse bëhet fjalë për të njëjtin lot prodhimi, apo nëse janë zhvilluar analiza shtesë në fabrikën prodhuese apo në pikat e shitjes me pakicë.

Kjo situatë ngre pikëpyetje serioze mbi nivelin e reagimit institucional dhe transparencën ndaj konsumatorëve.

Çfarë janë akrilamidet dhe pse konsiderohen të rrezikshme?

Akrilamidet janë klasifikuar që në vitin 1994 nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kan*erin (IARC) e OBSH-së si substanca potencialisht kan*erogjene (Grupi 2A). Studime më të reja sugjerojnë se ekspozimi i zgjatur ndaj tyre mund të dëmtojë sistemin nervor dhe të rrisë rrezikun për sëmundje neurodegjenerative, si Alzheimeri.

Një meta-analizë e vitit 2022, e publikuar në revistën “Frontiers in Nutrition”, e cila përfshiu 31 studime me mbi 1 milion persona, konstatoi lidhje midis konsumit mesatar prej 23 mikrogramësh akrilamide në ditë për rreth 15 vjet dhe rritjes së rrezikut për disa lloje kan*eri, përfshirë atë të zgavrës orale, stomakut, ezofagut, prostatës, pankreasit dhe tiroides.

Akrilamidet formohen gjatë gatimit në temperatura shumë të larta, veçanërisht në proceset industriale, por edhe në gatimin shtëpiak, kur ushqimet e pasura me niseshte i nënshtrohen reaksioneve kimike mes sheqernave dhe aminoacideve. Ato nuk gjenden vetëm në kafe, por edhe në produkte si patate të skuqura, biskota, pica dhe ushqime të tjera të pjekura.