Çmimet e pronave për banim në Kosovë kanë vazhduar trendin rritës në baza vjetore, pavarësisht një ftohjeje të lehtë të tregut në krahasim me tremujorin paraprak.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Indeksi i Çmimeve të Pronave të Banimit (IÇPB) është rritur për 2.4 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2025 (TM3), krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2025 (TM2), çmimet e banesave kanë shënuar rënie prej 2.1 për qind, duke reflektuar luhatje sezonale dhe një ngadalësim të përkohshëm të aktivitetit pas muajve të verës.
Sipas rajoneve, tregu i Prishtinës ka shënuar rritje më të moderuar të çmimeve, me 1.3 për qind krahasuar me TM3 2024, çka sinjalizon një stabilizim të tregut në kryeqytet, i cili mbetet më i shtrenjti në nivel vendi.
Ndërkohë, në rajonet tjera të Kosovës, çmimet e pronave për banim janë rritur për 4.3 për qind në baza vjetore, duke treguar rritje të interesimit për blerje jashtë Prishtinës, ku çmimet janë më të përballueshme.
Analiza afatgjate e periudhës TM1 2019 – TM3 2025 tregon se tregu i patundshmërive në Kosovë ka ruajtur një trend të qëndrueshëm rritës, megjithëse me dallime të theksuara ndërmjet rajoneve dhe periudhave tremujore.










