Investimet e BERZH-it në sektorin privat në Kosovë rriten në vlerën rekord prej 117.3 milionë eurosh në vitin 2025

Gjatë vitit 2025, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) investoi më shumë se 117 milionë euro në Kosovë përmes 28 projekteve, duke e tejkaluar vlerën prej 113 milionë eurosh që e investoi në 19 projekte gjatë vitit 2024.

Kjo vlerë shënoi rekordin e investimeve të BERZH-it në sektorin privat të Kosovës dhe iu afrua rekordit të investimeve të përgjithshme për të dytin vit radhazi. Pjesa e projekteve të gjelbra arriti pothuajse 55 për qind të totalit, ndërsa 19 nga 28 projektet përfshinin një komponent gjinor.

Projektet ndërkufitare ishin një nga drejtimet madhore të punës gjatë vitit 2025, duke reflektuar fokusin e BERZH-it në integrimin e tregjeve rajonale dhe rritjen e sektorit privat. Banka realizoi transaksionin më të madh ndonjëherë me korporata private në Kosovë, duke mbështetur me një hua prej 25 milionë eurosh zgjerimin e Viva Fresh në Shqipëri përmes blerjes së SPAR Albania. Ndërkohë, Speeex pranoi një hua prej 13 milionë eurosh për blerjen e tri kompanive zvicerane, duke paraqitur kështu marrëveshjen e parë për bashkim dhe blerje që mbështet një zgjerimin ndërkombëtar të një kompanie kosovare, si dhe duke i forcuar më tej tregtinë dhe investimet ndërkufitare.

Reklama e sponzorizuar

Pjesa dërrmuese e investimeve të biznesit në vitin 2025 u kanalizuan për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) përmes partneriteteve të BERZH-it me bankat lokale, duke kombinuar programet e reja të lansuara, siç janë Programi për Financim të Borxhit të Lidhur me Rezultate të Gjelbra për Ballkanin Perëndimor (GOLD) dhe Programi për Kalim në Digjital, me iniciativa të vazhdueshme, siç janë Programi për NVM të Gjelbra, Instrumenti për Financim të Ekonomisë së Gjelbër, Programi për Gratë në Biznes dhe Rininë në Biznes. Oferta e gjerë e linjave të kreditimit forcoi reziliencën dhe konkurrueshmërinë e NVM-ve në mbarë vendin.

Këtu përfshihen 17.5 milionë euro përmes Programit për Kalim në Digjital në Ballkanin Perëndimor të ndara për Banka për Biznes (BpB), NLB Banka Prishtina (NLBP), ProCredit Bank në Kosovë (PCB) dhe Raiffeisen Bank në Kosovë (RBKO); 12.5 milionë euro nga linja të thjeshta kreditimi për NVM për BpB, NLBP dhe Kreditimi Rural i Kosovës; 15 milionë euro përmes programit për NVM të Gjelbra dhe programit WB GOLD për ProCredit; si dhe një garanci për ndarjen e riskut të portfolios prej 25 milionë eurosh për RBKO.

Po ashtu, u nënshkruan katër marrëveshje të huadhënies me kompani kryesuese në Kosovë në kuadër të kornizës së Bankës për ndarje të riskut me ProCredit Bank në Kosovë për të mbështetur investime kapitale në sektorë kyç: Royal Beverage (për zgjerim të kapacitetit prodhues të ujit të ambalazhuar), Relux (për ndërtimin e ambienteve të reja), Front (për përfundimin e një objekti të ri të prodhimit dhe ekspozimit) dhe Kema Pack (për pajisje të avancuara të prodhimit).

Në fushën e politikave, Banka vazhdoi të mbështesë Këshillin Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, si dhe Zyrën e Rregullatorit për Energji, veçanërisht në zhvillimin e mekanizmave mbështetës për energji të ripërtërishme për diversifikimin e burimeve të energjisë në vend. Këtu u përfshi zhvillimi i një mjeti modelimi për llogaritjen e nevojave për financim për mekanizma të tillë mbështetës.

Banka e mbështeti më tej Qeverinë e Kosovës me dy studime madhore të fizibilitetit: një për fazën e dytë të Impiantit për Trajtim të Ujërave të Zeza të Mitrovicës, që do të kushtojë gjithsej 15 milionë euro, dhe një tjetër për Programin për Përmirësim të Autobusëve të Qyteteve Rajonale, me vlerë 110 milionë euro, duke ndihmuar në avancimin e planifikimit të infrastrukturës më të qëndrueshme në mbarë vendin.

BERZH-i është investitor kryesues institucional në Kosovë, pasi që ka investuar pothuajse 900 milionë euro përmes 146 projekteve deri në fund të vitit 2025.