Çështjet e lëna pas dore që kërkojnë veprim urgjent nga institucionet e reja

Qeveria dhe Kuvendi, të posaformuara, duhet pa humbur kohë të funksionalizojnë një numër të konsiderueshëm institucionesh dhe asociacionesh, të cilat prej muajsh, madje edhe vitesh, janë thuajse jofunksionale për shkak të moskompletimit të bordeve të tyre.

Buletini Ekonomik

Themelimi i institucioneve të reja legjislative dhe ekzekutive, të dala nga zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, u mirëprit nga shumë institucione dhe asociacione dhe nga zyrtarë e personalitete politike të vendit dhe ndërkombëtare. Nuk munguan edhe sugjerimet për institucionet e posathemeluara për të adresuar prioritetet e menjëhershme të kushtëzuara nga çështjet problemore të vendit.

Reklama e sponzorizuar

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ndër të parat asociacione, sugjeron se “një fokus i veçantë duhet t’i kushtohet sektorit të energjisë, përfshirë diversifikimin e burimeve energjetike dhe forcimin e sigurisë energjetike të vendit, si dhe krijimit të kushteve të favorshme për investime strategjike në infrastrukturë moderne dhe energji të pastër. Po ashtu, zhvillimi i kapitalit njerëzor dhe harmonizimi i sistemit arsimor me kërkesat e tregut të punës mbeten elemente kyçe për rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë së Kosovës”.

Oda Amerikane nënvizon gjithashtu rëndësinë e fuqizimit të bazës industriale edhe përmes tërheqjes së investimeve të huaja direkte, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët strategjikë të Kosovës.

“Përmirësimi i klimës së të bërit biznes përmes sundimit të ligjit, sigurisë juridike, reduktimit të barrierave administrative dhe rritjes së transparencës në vendimmarrje duhet të jetë prioritet i menjëhershëm i institucioneve të reja”, ka sugjeruar Oda Amerikane, duke bërë thirrje për një bashkëpunim më aktiv dhe të qëndrueshëm ndërmjet sektorit publik dhe atij privat.

Potencohet në veçanti për institucionet e reja kërkesa mbizotëruese nga shumë subjekte, qofshin ato të sektorëve të ekonomisë, apo nga ato politike, domosdoja që urgjentisht dhe pa humbur kohë të nisin investimet në zhvillimin energjetik të vendit, duke filluar investimet një orë e më parë për të ndërtuar kapacitetete të reja elektroenergjetike për të prodhuar eneregji të ripërtëritshme dhe për të rindërtuar e modernizuar maksimalisht kapacitetet elektroenergjetike në bazë të thëngjillit. Këto kërkesa reale, krahas atyre për të përmirësuar gjendjen në arsimin dhe shëndetësinë e vendit kanë dominuar tash e sa kohë, por edhe që në çastet e para të themelimit të Kuvendit dhe të Qeverisë Kurti3.

Por njohës të zhvillimeve shoqërore dhe sociale në Kosovë, thonë se jetesa dhe mirëqenia më e mirë në Kosovë nuk përcaktohen vetëm nga pasja e bollshme e energjisë elektrike. Janë, sipas tyre, edhe një numër çështjesh, që duken si minore dhe jo edhe aq të rëndësishme për të bërë jetën më normale në vend.

Qeveria dhe Kuvendi, të posaformuara, duhet pa humbur kohë të funksionalizojnë një numër të konsiderueshëm institucionesh dhe asociacionesh, të cilat prej muajsh, madje edhe vitesh, janë thuajse jofunksionale për shkak të moskompletimit të bordeve të tyre.

Më konkretisht, duhet një orë e më parë të bëhet funksional Autoriteti i Konkurrencës, institucion ky me muaj inekzistent, për shkak të moskokompletimit të Bordit kryesues, dhe i cili do duhej të kryejë detyrat e përcaktuara me ligj jo vetëm për të konstatuar, por edhe për të sanksionuar të gjithë keqbërësit e çmimeve të ngritura brutalisht dhe në mënyra të jashtligjshme.

Duhet, pa humbur kohë të kompletohen me inspektorë të nevojshëm dhe të parashikuar (të tregut, me ata sanitarë, me sish të punës) edhe të gjitha drejtoritë e inspeksioneve nëpër qendrat komunale dhe në atë qendrore për të evituar keqëpërdorimet e panumërta me çmime, me shitje të produkteve me afate të skaduara, me mospërmbushje të kushteve elementare të punës, me evitimin e produkteve bujqësore të helmatisura nga pesticidet në tregjet tona, e kështu me radhë. Një orë e më parë, duhet të gjendet rruga ligjore e vendosjes së çmimeve tavan për shumë produkte esenciale dhe me ndikim të drejtpërdrejt në jetesën e kosovarëve.

Ka edhe shumë sfida të tjera të lëna pasdore jo vetëm gjatë kohës së mungesës së institucioneve të shtetit, të cilat ua bëjnë jetën më të vështirë dhe më të kushtueshme kosovarëve. Të gjitha këto, janë pak a shumë të ditura nga institucione të pushtetit dhe të shtetit. S’ka kush tjetër të gjejë zgjidheje për to, pos Kuvendit dhe Qeverisë aktuale të posaformuar. /Buletini Ekonomik/