Ministri i Financave, Hekuran Murati, në seancën e Kuvendit të enjten iu përgjigj kritikave të opozitës lidhur me qeverisjen dy-vjeçare të Qeverisë Kurti.
Para deputetëve, Murati tha se për dy vjet vendi është përballur me shumë kriza, megjithatë sipas tij, është shënuar rritja ekonomike më e lartë ndonjëherë.
“Për një periudhë dy-vjeçare kemi pasur shumë kriza. Jemi ballafaquar me pandeminë, kemi pasur krizën e inflacionit, atë energjetike dhe tash kemi kriza e normave të interesit që ndikon negativisht në zhvillimin ekonomik. Por përkundër krizave, në këto dy vite kemi pasur rritje ekonomike shumë më të lartë se në çdo periudhë tjetër”, tha ministri.
Sa i përket inflacionit, Murati tha se Kosova është vendi që ia ka dalur më së miri në rajon.
“Përjashto Shqipërinë, të gjitha vendet e tjera në rajon e kanë nivelin e inflacionit më të lartë. Si shtet si qeveri, kemi marrë të gjitha masat e mundshme që kanë qenë në dorën tonë. Por, s’mund ta kontrollojmë importin sa i përtket inflacionit”.
Ai tutje përmendi buxhetin e Republikës së Kosovës, të cilin tha se kanë arritur që ta rrisin në 3.2 miliardë euro, “shifër kjo e cila më herët ndoshta as nuk është imagjinuar”.