Pse KEK parasheh remont të sërishëm të bllokut B2 të Kosovës B pas rehabilitimit gjashtëmujor “të suksesshëm”?

As KEK-u, as ZRRE, dhe as ndonjë institucion i shtetit nuk e kanë bërë publike se pse njësia B2 e Koosvës B duhet të shkojë në remont kaq të gjatë dhe kaq shpejt pas remontit të thellë dhe të detajuar gjashtëmujor që përfundoi në tetor të 2025-tës, që siç u tha nga zyrtarë të KEK-ut dhe përfaqësues të shtetit, u krye me sukses të plotë.

Buletini Ekonomik

KEK-u kohë më parë ka bërë publike (sipas një draft-plani për vitin 2026, të cilin KEK-u ia ka dorëzuar ZRRE-së) se në muajin mars, më saktësisht nga 4 marsi deri më 7 prill, planifikon që ta dërgojë në riparim, që do të thotë ta heq nga funksioni për 35 ditë njësinë B2 të Termocentralit Kosova B. Duhet rikujtuar e ripërsëritur se në mars, në Kosovë, me klimën tipike kontinentale, mbretërojnë rëndom ende temperatura të ulëta, madje të ftohta në shumë ditë, që do të thotë se ende ka ngarkesa në rrjetin energjetik dhe largimi jashtë prodhimit të njësisë B2 me kapacitetin 260 megavatë/orë, do të ketë po kaq megavatë energji elektrike mangut. Dhe, natyrisht me këtë sasi të munguar të rrymës siguria e furnizimit me energji elektrike e vendit rrezikohet domosdo.

Reklama e sponzorizuar

Nisjen e këtij remonti nga KEK-u, në kohën kur ka ngarkesë dhe kur ka edhe operim paralel të “Termokosit” për nevoja të ngrohjes qendrore, e kanë kualifikuar si të papranueshme në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE). Prandaj, ZRRE-ja ka kërkuar që remonti i paralajmëruar të zhvendoset në muajin maj apo në një periudhë tjetër, me kushtin që të mos komprometohet siguria e furnizimit me energji elektrike. Por, as KEK-u, as ZRRE, dhe as ndonjë institucion i shtetit nuk e kanë bërë publike se pse njësia B2 duhet të shkojë në remont kaq të gjatë dhe kaq shpejt pas remontit të thellë dhe të detajuar gjashtëmujor që përfundoi në tetor të 2025-tës, që siç u tha nga zyrtarë të KEK-ut dhe përfaqësues të shtetit, u krye me sukses të plotë.

Buletini Ekonomik ka pyetur në KEK pse parashihet të shkojë në remont blloku B2, kur dihet se në këtë termocentral janë bërë remonte të thella, duke modernizuar maksimalisht turbinat, janë bërë ndërhyrje riparuese të detajuara edhe në stabilimente të tjera të këtij blloku, por sot e kësaj dite Buletini Ekonomik nuk ka marrë përgjigje nga KEK-u.

Duhet përkujtuar se me rastin e rikthimit në operim pas remontit gjashtëmujor të B2-shit, në bazë të informacioneve të plasuara në publik, në KEK, por edhe në opinionin e vendit u prit mirë përmbyllja me sukses e modernizimit të njësisë prodhuese B2 të Termocentralit “Kosova B”. Në KEK nuk munguan lëvdatat për “suksesin e madh të ekipit të vet të angazhuar në rehabilitimin e këtij blloku. Ndërkohë, autoritetet, udhëheqja ato ditë në detyrë, thuaja të ekzaltuar nga ky sukses, nuk lanë rast pa u mburrur dhe pa u shpallur si mbështetëse të projektit, siç u tha “që paraqet një ndërhyrje të thellë teknike dhe inxhinierike, që ka transformuar njësinë e prodhimit në një sistem shumë më efikas, më të qëndrueshëm dhe më të sigurt”.

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës ato ditë, Albin Kurti, gjatë një vizite të bërë në termocentralin “Kosova B” (në tetor të 2025 tës, kur u rikthye në prodhim B2 pas përmbylljes së punimeve gjashtëmujore të modernizimit të këtij blloku), së bashku me ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanollin, kishte thënë se “ky është një sukses i madh i ekipit të KEK-ut, i mbështetur nga qeveria dhe partnerët teknikë, që sot po kurorëzohet me rezultate të prekshme e të dukshme”.

Sipas tij, “ky projekt paraqet një ndërhyrje të thellë teknike dhe inxhinierike, që ka transformuar njësinë e prodhimit në një sistem shumë më efikas, më të qëndrueshëm dhe më të sigurt”.

Me rehabilitimin e B2-shit, kapaciteti prodhues në këtë bllok, siç u tha, është rritur për rreth 35 MW, pa asnjë ndryshim në parametrat bazë të funksionimit, efiçienca e sistemit është rritur ndjeshëm, falë teknologjisë së re dhe modernizimit të turbinës, që tash garanton prodhim më të madh me më pak konsum energjie të brendshme. Po kështu, siç u tha nga autoritetet, konsumi i thëngjillit është ulur nga 1.3 tonelata në 1.15 tonelata për megavat, duke dëshmuar përmirësim të dukshëm në procesin e konvertimit të energjisë, ndërsa për të njëjtën sasi të megavatëve të prodhuar, ka ndotje më të ulët, falë përdorimit më efikas të lëndës djegëse. Dhe është e rëndësishme se jetëgjatësia e njësisë është shtuar për rreth 20 vjet, ndërsa cikli i mirëmbajtjes së pajisjeve të reja është shtyrë nga 6 në 9 vjet, një përmirësim që do të kursejë miliona euro në mirëmbajtje dhe do të garantojë stabilitet më të madh afatgjatë.

Në komunikatën e KEK-ut thuhej se “pas rreth 6 muajsh të rehabilitimit (riparimit dhe modernizimit të turbinave dhe stabilimenteve të tjera), është rikthyer mbrëmë (e diel, 28 shtator 2025) në prodhim blloku B2 i termocebntraleve Kosova B”. Me këtë rast, në njoftimin e KEK-ut vlerësohej si “një arritje e rëndësishme dhe historike për sistemin energjetik të vendit kthimi në operim i njësisë B2 dhe se modernizimi i turbinës ka rritur dukshëm kapacitetet prodhuese”.

Pa asnjë redaktim dhe pa asnjë ndërhyrje redaktoriale nga Buletini Ekonomik, në njoftimin e KEK-ut thuhet saktësisht: “Pas një periudhe të angazhimit maksimal dhe punës së palodhshme, njësia B2 e TC Kosova B është kthyer në operim sonte, me sukses të plotë – madje edhe para afatit të paraparë, 04.10.2025. Projekti madhor i rehabilitimit dhe modernizimit të turbinës, i zbatuar në bashkëpunim me kompaninë prestigjioze General Electric dhe ekspertët tanë të KEK sh.a., ka rezultuar me rritje të dukshme të kapaciteteve prodhuese dhe efikasitet më të lartë të sistemit. Ky implementim i suksesshëm do të sjellë kursime të konsiderueshme për Korporatën, duke garantuar stabilitet dhe siguri më të madhe energjetike për vendin. Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë stafin profesional dhe menaxhmentin e TC-B-së, për përkushtimin, kompetencën dhe vizionin e treguar gjatë realizimit të këtij projekti strategjik”.

Në fund, duke i rikujtuar këto të dhëna për remontin e suksesshëm të B2-shit, të bëra publike në zyrtarë të KEK-ut, dhe nga autoritetet e republikës, është e udhës që KEK-u të sqarojë pse po e qon sërish B2-shin në remont kaq të gjatë dhe kaq shpejtë pas remontit të detajuar gjashtëmujor. Ky sqarim është i domosdoshëm ndërsa interesimi i medieve për t’u njoftuar për shkaqet që kanë shtyrë KEK-un në remontin e dytë të gjatë të këtij termocentrali vetëm rreth 6 muaj pas remontit të thellë gjashtëmujor, është fare i ligjshëm. Qytetarët e Kosovës duhet të njoftohen për rrjedhat e zhvillimeve në sistemin elektroenergtjetik të vendit. /Buletini Ekonomik/