BQK “fut nën kontroll” kompanitë e sigurimit, pronarët obligohen të shtojnë 16 milionë euro kapital

Për një kohë të gjatë, një pjesë e madhe e kompanive të sigurimit kanë funksionuar jashtë parametrave ligjor për kapital dhe solvencë, duke bërë që në disa raste të aplikohet edhe revokimi i licencave.

Në bazë të ligjit për sigurimet, kompanitë e sigurimit duhet të mbajnë nivele të caktuara të kapitalit si rezervë, për t’ju përgjigjur detyrimeve në të ardhmen.

Përmes një komunikatë për media nga BQK thonë se gjatë viteve të fundit, janë ndërmarrë një varg masash dhe reformash me qëllim që sektori i sigurimeve të sigurojë pajtueshmëri me kornizën ligjore në fuqi.

Reklama e sponzorizuar

Lexo edhe:

Raporti i BQK-së identifikon 4 kompani të sigurimit me ‘borxhe’ miliona euro

“Për këtë qëllim, gjatë viteve të fundit, BQK-ja ka marrë me dhjetëra masa administrative kundrejt siguruesve, përfshirë edhe revokimin e dy licencave. Si rezultat i këtyre masave të ndërmarra, gjatë tri viteve të fundit aksionarët e disa prej siguruesve kanë injektuar kapital në vlerë mbi 16 milionë euro”, thuhet në komunikatë.

“Si rrjedhojë, ju informojmë se me 31 mars 2022, të gjithë siguruesit që ushtrojnë aktivitetin e sigurimeve në vend, janë në përputhje me kërkesat ligjore të BQK-së”, përfundon komunikata. /Buletini Ekonomik/