Pas hulumtimit për ‘borxhin e keq’ të KESCO-s, aktivizohet Avokati i Popullit, pritet të hapë rast për shkelje të të drejtave të konsumatorëve

Pas hulumtimit të publikuar nga Buletini Ekonomik, Institucioni i Avokatit të Popullit pritet të hapë rast për “borxhin e keq” të KESCO-s, një kosto që u ngarkohet konsumatorëve çdo vit në tarifat e energjisë elektrike.

Dyshimet fillestare lidhen me mundësinë e shkeljes së të drejtave të konsumatorëve të energjisë në Kosovë, ndërsa nga ky institucion bëhet e ditur se çështja është duke u trajtuar aktualisht dhe do të shqyrtohet më tej nëse vlerësohet se ka bazë për të hapur rast zyrtar.

Reklama e sponzorizuar

Majlindë Sinani – Lulaj, Zëvendëse e Avokatit të Popullit, ka deklaruar për Buletinin Ekonomik se: “Nëse Avokati i Popullit, nga informacionet e pranuara, vlerëson se ka bazë nga perspektiva e të drejtave të njeriut për të hapur rast sipas detyrës zyrtare, çështja procedohet më tutje, sipas procedurave të Institucionit të Avokatit të Popullit (IAP).”

Për vite me radhë, ZRrE e kishte përfshirë në tarifa ‘borxhin e keq’ të KESCO-s përmes një metode “paushall” dhe pa klasifikim të vjetërsisë së borxhit. Gjetjet dalin nga dy raporte të auditimit në të cilat Buletini Ekonomik ka siguruar qasje, dhe ku dyshohet për dëm dhjetëra milionësh ndaj konsumatorëve.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte zbatuar metodë të gabuar për përcaktimin e borxhit të keq, një kosto që u ngarkohet konsumatorëve çdo vit. Përveç vlerësimit “paushall” dhe pa klasifikim të borxhit sipas vjetërsisë, raporte të auditimit evidentuan se edhe atëherë kur inkasimi nga faturat ishte pothuajse 100%, vlerësimi për borxhin mbeti 4% i të hyrave vjetore të kompanisë. Kjo metodë u aplikua që nga viti 2013, koha kur u privatizua Rrjeti i Shpërndarjes.

Auditorët dhe ekspertët e energjisë ngrejnë dyshime se nuk ka qenë e arsyeshme që borxhi i KESCO-s të ngarkohej në tarifa. Për më tepër, qytetarët nuk duhet të paguajnë për një humbje që është përgjegjësi ekskluzive e kompanisë, dhe kjo rrit rrezikun që kompania të mos i arkëtojë borxhet me qëllim.

Sipas ekspertëve, “borxh i keq” janë faturat që KESCO nuk ka arritur t’i arkëtojë nga konsumatorët që nuk kanë paguar. Në vend që të mbulojë këtë humbje vetë, kompania e përfshin në çmimin e energjisë, që paguhet nga të gjithë.

Për periudhën 2013-2025, në emër të “borxhit të keq” të KESCO-s janë ngarkuar në tarifat e energjisë elektrike mbi 130 milionë euro, përkundër faktit se kompania kishte pasur ndër vite nivel të lartë të arkëtimit të faturave, rreth 99 për qind.

Buletini Ekonomik kishte publikuar edhe një tjetër hulumtim vitin e kaluar për këtë kategori dhe evidentoi se kjo barrë financiare po iu ngarkohet konsumatorëve pa një auditim të pavarur dhe me shumë paqartësi ligjore. Deputetët e Kuvendit, gjatë shqyrtimit të tarifave për vitin 2025, ngritën dyshime për këtë kosto, duke përmendur Ligjin për Marrëdhëniet Detyrimore dhe Ligjin për Procedurën Përmbarimore, si mundësi që KESCO ka për arkëtimin e borxhit para se t’ua ngarkojë konsumatorëve.

Të njëjtat gjetje tashmë konfirmohen nga një raport i auditimit të Kuvendit të Kosovës, pjesë e hetimit për sektorin e energjisë i kryer në vitin 2022, ku u konstatua se praktika e ZRrE-së mbetet shqetësuese dhe e kontestueshme.  /Buletini Ekonomik/

HULUMTIMI NË FJALË:

‘Borxhi i keq’ i KESCO-s u ngarkua në tarifa ‘paushall’, dyshohet për dëm dhjetëra milionësh ndaj konsumatorëve