Deri para disa muajsh, në “Lagjen e Muhaxherëve” në kryeqytet, çmimi për një metër katror të banesave të finalizuara dhe të gatshme për banim ishte shumë-shumë 1,700 – 1,800 euro, ndërsa sot çmimi i një metri katror të banesës ende të pa nisur (vetëm të projektuar), përkatësisht vetëm sa ka nisur hapja e gropës për themelet e ndërtesës së pritshme, është 2,300 euro, me pagesë paraprake që tani ende pa nisur themelet e ndërtesës.
Buletini Ekonomik
Çmimet më të fundit të një metri katror në “Lagjen e Muhaxherëve” të Prishtinës, të ofertuara nga ndërtimtarët, kanë lënë “pa mend’ njerëzit jo të paktë të interesuar për të blerë banesë në lagjen gjithnjë e më të popullarizuar të kryeqytetit. A. J., banor i një lagjeje të vjetër të Prishtinës, ka treguar për Buletinin Ekonomik se ka mbetur i befasuar, por edhe i tronditur kur është njoftuar për çmimin e një metri katror të një banese në ndërtesën banesore ende të pa nisur.
“S’ke si mos të tronditesh, kur njoftohesh se një metër katror i banesës në Lagjen e Muhaxherëve në ndërtesën ende të panisur, ka çmimin e panegociushëm prej 2,300 eurosh”, thotë ai.
“E njohë Lagjen e Muhaxherëve shumë mirë, e kam të qartë se është shumë pranë qendrës së Prishtinës dhe ka të gjithë infrastrukturën e nevojshme për jetë normale në kryeqytet, por i kisha parasysh edhe mangësitë, poashtu të njohura për mua, siç janë afërsia e shumëkatsheve me njëra tjetrën, thuaja janë njëra mbi tjetrën ose ngjitas ndërtesa me ndërtesë, rrugët e ngushta dhe mungesat evidente e parkingjeve dhe mungesa totale e gjelbërimit. I kisha të ditura edhe çmimet e para dy-tre muajsh të një metri katror të banesave të finalizuara në këtë lagje. Shkurt, isha goxha i vendosur ta kontraktojë një banesë këtu. Por, kur u njoftova për çmimin, mbeta shumë i befasuar, madje edhe i tronditur”, rrëfen A.J.
Sipas tij, deri para dy tre muajsh, në këtë lagje oferta e ndërtimtarëve për një metër katror të banesave të finalizuara dhe të gatshme për banim ishte shumë-shumë deri në 1,700 – 1,800 euro, ndërsa sot çmimi i një metri katror të banesës ende të pa nisur (vetëm të projektuar), përkatësisht vetëm sa ka nisur hapja e gropës për themelet e ndërtesës së pritshme, ofertohet me 2,300 euro, me pagesë paraprake që tani ende pa nisur themelet e ndërtesës.
A.J. ka treguar se pos çmimit shumë të ngritur, në heqjen dorë nga blerja e banesës në Lagjen e Muhaxherëve ndikim jo të vogël pati edhe fakti se banesa e synuar, ose i tërë objekti banesor ishte ende në fazën përgatitore për nisjen e punëve, ndërsa për kohëzgjatjen deri në finalizimin e banesës, askush nga ofertuesit nuk ishte në gjendje të caktojë ndonjë afat të saktë. Zëra përrreth flisnin se para vitit 2030 nuk ka shans të bëhet i gatshëm dhe i finalizuar objekti i planifikuar të ndërtohet në këtë lagje.
Çmimet më të reja të ofertuara nga ndërtmtarët për metrin katror të banesave të ardhshme në Lagjen e Muhaxherëve, gjithsesi, do të lëkundin edhe më shumë trendet e tregut të shitblerjes së patundshmërive në Prishtinë, dhe sinjalizojnë një rritje të re të pashmangshme të çmimeve për metër katror të ndërtimeve edhe në lagjet e tjera të kryeqytetit, qofshin ato më pranë qendrës, qofshin në rajonet më periferike të Prishtinës.
Ç’është e vërteta, muajve të fundit të 2025-tës dhe në dy muajt e parë të këtij viti, në të gjitha lagjet e Prishtinës çmimet mesatare të metrit katror të një banese në Prishtinë, kanë shkuar ‘në qiell’, aq më shumë po të kihet parasysh fuqia blerëse e shtresave dominuese të popullatës së Kosovës.
Çmimi i një banese në Prishtinë, por edhe në disa qendra të tjera të Kosovës, praktikisht është bërë i pa arritshëm për shtresat e varfëra dhe për ato të mesme. Sipas të dhënave të agjencive imobiliare të kryeqytetit, çmimet në periferi të kryeqytetit të Kosovës janë përafërsisht rreth 1,400-1500 euro për metër katror, teksa në afërsi të qendrës kaherë kanë tejkaluar mbi 2 mijë e 5-6 qind euro. Sot, një metër katror në lagjen Mati-1, një nga zonat më të kërkuara të Prishtinës edhe për shkak të çmimeve të banesave, metri katror kushton 1,100 -1,400 euro. Në shumicën e projekteve ndërtimore (sidomos të ndërtesave me banesa) çmimet kanë lëvizur rreth 1300–1600 euro për një metër katror, ndërsa në zonat më të kërkuara (siç është Lagja e Muhaxherëve, por edhe disa zona në Arbëri) lëvizja e çmimeve ka shkuar, siç u tha më sipër, nga 1800 deri në 2300 euro për metër katror.
Në periudhën e fundit të vitit 2025, në shumicën e projekteve, çmimet lëvizin rreth 1400–1700 €/m², ndërsa në zonat më të kërkuara shpesh kalojnë 2000–2500 €/m². Se ku do të arrijnë çmimet e një metri katror të ndërtimeve të reja pas valës më të fundit të ngritjes së çmimeve të materialeve kryesore të ndërtimit, tani për tani nuk ka përgjigje as nga ndërtimtarët, e as nga vrojtuesit e tregut të ndërtimeve në vend. /Buletini Ekonomik/
Write to Buletini Ekonomik – Staf










