Komoditeti i ekzekutivit të vendit karshi rritjes së hovshme e të fortë të çmimit të naftës dhe të produkteve të tjera energjetike në tregjet botërore, del të jetë fare i pakuptueshëm, kur kihet parasysh se kriza e naftës do të ketë pasoja zinxhir të vështira dhe ndoshta edhe të paparashikueshme. Sektori i ndërtimit, ndër më të prekurit nga kriza e çmimeve të naftës…
Mehmet GJATA
Tashmë është fakt se lufta në përmasat e deritashme në Lindjen e Mesme, më saktësisht lufta mes SHBA-ve, Izraelit dhe Iranit, është bërë burim i përkeqsimit dhe pasigurisë thuaja në të gjithë sektorët e ekonomisë botërore. Gjithsesi, edhe në ecuritë ekonomike të Kosovës, sado që në republikën tonë, për dallim nga shumica e vendeve të globit, nuk është se po merret ndonjë autoritet institucional edhe aq me ç’ekuilibrimin e tejdukshëm të ecurive zhvillimore në shumë sektorë të ekonomisë dhe aq më pak me vlerësime më serioze të pasojave të shpërfaqura në sektorë të caktuar të ekonomisë sonë të brishtë nga lufta në Lindjen e Mesme.
Me fjalë të tjera, pos ministres të Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, që së paku po tregon se në njëfarë mënyre, kështu e vetmuar, praktikisht është e pafuqishme për të vepruar efektshëm në ecuritë e ngritjes së vrullshme të çmimit të karburanteve, derisa në dikasteret e tjera, nuk po dëgjohet ndonjë zë që, së paku, flet për çrregullimin alarmant të tregut të karburanteve, as për pasojat zinxhir nga kriza e krijuar me çmime të karburantit edhe te ne.
Ndërkohë që dihet se tregu i naftës në Kosovë, qëkur ka nisur lufta në Lindjen e Mesme, është çrregulluar ekstremisht shumë dhe tashmë paraqet një burim të padiskutueshëm të rrezikut dhe të pasigurisë në ekonominë e vendit në përgjithësi. Ngritja e çmimeve të naftës mbi 30 për qind në këto dy javët e fundit, sado që tani ka pasoja të tjera jo të pakta, në radhë të parë në ngritjen e çmimeve zinxhir të shumë produkteve dhe shërbimeve në vend, sikur e zuri në gjumë qeverinë dhe diskasteret kompetente. Autoritetet kompetente të Kosovës, pos vendimit për caktimin e fitimit për tregtarët, të ndërmarrë që në në ditët e parafillimit të krizës së çmimeve të naftës, nuk kanë marrë ndonjë masë tjetër për të zbutur pasojat.
Gjithsesi, edhe pse në këto rrethana, nuk ka shumë mundësi për të parandaluar trendin e egër të ngritjes së çmimit të naftës, ka pasur mundësi gjithsesi të veprohej si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe vende të tjera (Shqipëria ka marrë vendim për uljen e akcizës për 20 për qind, Maqedonia e Veriut, ka marrë vendim që ta ulë TVSH-në nga 18 për qind në 10 për qind për periudhën 2-javore), ka patur mundësi për të ulur akcizën dhe TVSH-në për naftën e importuar. Në këtë mënyrë, Kosova mbetet i vetmi vend në rajon pa ndërmarrë ndonjë masë lehtësuese, ose mbetet me masën e vetme të ndërmarrë në këtë krizë çmimesh të naftës, e që është caktimi i marzhës së fitimit për kompanitë që tregtojnë me derivate, e që ka për qëllim parandalimin e mundësisë së abuzimit nga tregtarët.
Në këtë mënyrë, komoditeti i ekzekutivit të vendit karshi rritjes së hovshme e të fortë të çmimit të naftës dhe të produkteve të tjera energjitike në tregjet botërore, del të jetë fare i pakuptueshëm, kur kihet parasysh se kriza e naftës do të ketë pasoja zinxhir të vështira dhe ndoshta edhe të paparashikueshme. Do të ketë, gjithsesi, ngritje çmimesh të reja të produkteve elementare ushqimore, do të ngiten çmimet e shportës, të shumë produkteve të tjera dhe të shërbimeve. Do të ketë padiskutueshëm pasoja negative në inflacion dhe në rritjen e gjithëmbarshme ekonomike të vendit në të ardhmen. Në Kosovë, me këto zhvillime, padyshim ndër sektorët që do të goditen më së shumti nga kriza e çmimeve të naftës do të jetë sektori i ndërtimtarisë, që është sektori me më shumë të punësuar, me më shumë të hyra dhe me më shumë përfitime të tjera nga pronarët dhe nga shteti.
Me fjalë të tjera, pos ngritjes së theksueshme të çmimeve të disa produkteve të shportës, të produkteve elementare ushqimore dhe shumë produkteve dhe shërbimeve të tjera si pasojë e ngritjes së çmimit të karburanteve, hovi i shtrenjtimit dhe paralajmërime të ngutshme për çmime të reja të ngritura kanë mbërritur pa vonuar edhe nga sektori i ndërtimtarisë.
Ndër agjencionet e shtitblerjes së paluajtshmërive, por edhe zyrtarë të Shoqatës së Ndërtimtarëve të Kosovës, duke përmendur çmimet e ngritura ndjeshëm të karburanteve në tregjet ndërkombëtare, paralamërojnë ngritje çmimesh të hekurit (armëbetonit), një nga produktet më me ndikim në ecuritë e kostos në sektorin e ndërtimit. Sipas tyre, tashmë është paralajmëruar nga shumë prodhues ngritje e çmimit të hekurit deri në 40 për qind. Çmimi i hekurit brenda 15-20 ditëve të fundit edhe në Kosovë, ka një tendencë rritjeje rreth 4-5 për qind brenda një jave.
Mirëpo, pronarë të kompanive ndërtuese, në kushte anonimiteti, i kanë thënë Buletinit Ekonomik se ka nisur ngritja e çmimeve edhe të materialeve të tjera të domosdoshme për ndërtim, siç janë produktet nga duraluminet, nga plastika por edhe të çimentos dhe domosdo edhe të betonit. Ndërkohë, që është e ditur se kostoja e fuqisë punëtore në sektorin e ndërtimit në Kosovë është ngritur në përmasa me ndikim të madh në çmimin final të ndërtimeve (të banesave, të ambienteve afariste në kuadër të ndërtesave me banesa), qëkurë është bërë liberalizimi i vizave edhe për Kosovën.
Ndërtimtarët e Kosovës frikësohen se si pasojë e krizës së çmimeve të naftës, së shpejti do të pasojë ngritja enorme e çmimit të betonit. Ka paralajmërime se çmimi i deritashëm i një metri kub të betonit prej 70 euro të shkojë në 100 euro. Dhe, kjo ngritje, sipas tyre, nuk është një ngritje sa për të qenë, ose e pa ndikim në koston e gjithmbarshme të ndërtimit final. Bëhet fjalë për çmim të ngritur afërsisht 50 për qind. Këto çmime të ngritura dhe të paralajmëruara që të ngriten akoma më shumë janë që tani një presion evident mbi koston e prodhimit final të ndërtimtarëve. Por, gjithsesi, do të lëkund edhe më shumë trendet dhe balancat e tregut të shitëbrerjes së patundshmërive, duke sinjalizuar një rritje të re të pashmangshme të çmimeve për metër katror të ndërtimeve.
Një ndërtimtar i njohur i vendit, që kërkon anonimitet, i ka thënë Buletinit Ekonomik se pasojat e çmimeve të karburanteve janë evidente në sektorin e ndërtmit në Kosovë. Sipas tij, tani është frenuar ndjeshëm trendi i ndërtimeve të shumta, është reduktuar shumë vëllimi i ndërtimeve të reja në Prishtinë dhe në shumë qendra të tjera urbane të vendit. Thjeshtë, për shkak të çmimeve të ngritura të materialeve të ndërtimit, që kanë kushtëzuar ngritjen e domosdoshme të metrit katror të banesave, ka rënë ndjeshëm edhe shitblerja e banesave. Në këto ditë të krizës së naftës, sipas ndërtimtarit, nuk ka thuaja fare shitblerje të paluajtshmërive. Se ku do të arrijnë çmimet e një metri katror të ndërtimeve të reja pas valës më të fundit të ngritjes së çmimeve të materialeve kryesore të ndërtimit, tani për tani nuk ka përgjigje as nga ndërtimtarët, as nga vrojtuesit e tregut të ndërtimeve në vend. Por, të gjithë e theksojnë faktin se të gjitha çmimet e ngritura të këtyre materialeve, dhe ato të paralajmëruara për t’u ngritur së shpejti, janë pashmangshëm pjesë e kostos së pritshme të një niveli tjetër të një metri katror ndërtimi të finalizuar. Dhe këto janë pasojat e krizës së çmimeve të naftës, me të cilat, autoritetet e Kosovës po merren fare pak. Ndërsa, njohësit e zhvillimeve në ekonominë e vendit, nuk e fshehin dronë për zhvillimet e mëtejshme në rast të zgjatjes në kohë dhe rritjes së intensitetit të kësaj lufte, gjithsesi të krahasueshme me periudhën që pasoi fillimin e luftës në Ukrainë gjatë vitit 2022. /Buletini Ekonomik/











