Në shifrat e rritura të gjithëmbarshme të investimeve të huaja në Kosovë në vitin e kaluar, në njëfarë mënyre, është përsëritur pak a shumë rrjedha e shpërndarjes së këtyre investimeve me vitet paraprake. Edhe më 2025, pjesa dërrmuese e investimeve të huaja direkte është bërë në sektorin e paluajtshmërive (770 milionë, ose 75 për qind), që i bie se investitorë të shumtë të huaj kanë investuar në banesa dhe hapësira afariste (lokale të ndryshme) dhe në toka (troje për ndërtime etj.)
Buletini Ekonomik
Po të shikosh të dhënat e investimeve të huaja direkte në Kosovë në vitin e kaluar, në 2025-tën, duken shifra goxha imponuese dhe si të tilla krijojnë te shumëkush një ndjesi dhe përshtypje të mirë jo vetëm te profesionistët që merren me zhvillime ekonomike. Sepse, sipas të dhënave nga Instituti GAP, në vitin 2025 investimet e huaja direkte (IHD) në Kosovë arritën në 1.03 miliard euro, duke shënuar një rritje prej 238.2 milion eurosh ose rreth 30% krahasuar me vitin 2024. Sipas këtyre të dhënave, Gjermania dhe Zvicra janë shtetet që kanë kontribuar më së shumti në këto investime, me 268.7 milion euro dhe 223.9 milion euro përkatësisht. Shtetet e tjera kryesore investuese janë Shqipëria me 103.6 milion euro, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 92.5 milion euro dhe Austria me 59.8 milion euro.
Në total, Gjermania dhe Zvicra përbëjnë 48% të investimeve të huaja direkte në Kosovë gjatë vitit 2025. Këto të dhëna që flasin për goxha rritje të investimeve të huaja në Kosovë, bëhen më imponuese, sidomos kur kihet parasysh se investimet e huaja kanë ndodhur në vitin e kaluar, një vit i vështirë për sektorin e ekonomisë dhe zhvillimeve ekonomike për shkak të krizës së njohur politike të shkaktuar nga mungesa e institucioneve kryesore të shtetit.
Më 2025, në Kosovë, praktikisht në shumicën e muajve ka munguar funksionimi i Kuvendit, ka funksionuar vetëm qeveria në detyrë dhe kanë munguar edhe një numër i madh institucionesh, të domosdoshme për funksionim normal të shtetit. Prandaj, shifrat e rritura të investimerve të huaja direkte më 2025 krijojnë njëfarë përshtypjeje se megjithatë, në 2025-tën nuk ishe gjithçka e zezë. Ky trend, fundja, siç vlerëson edhe GAP, tregon një rritje të ndjeshme të interesit të investitorëve të huaj për ekonominë e Kosovës dhe potencialin e sektorëve kyç për zhvillim. Por, në shifrat e rritura të gjithëmbarshme të investimeve të huaja në Kosovë në vitin e kaluar, në njëfarë mënyre, është përsëritur pak a shumë rrjedha e shpërndarjes së këtyre investimeve me vitet paraprake.
Edhe më 2025, pjesa dërrmuese e investimeve të huaja direkte është bërë në sektorin e paluajtshmërive, që i bie se investitorë të shumtë të huaj kanë investuar në banesa dhe hapësira afariste (lokale të ndryshme) dhe në toka (troje për ndërtime etj), në raste më të rralla edhe në ndonjë kompani të teknologjisë informative, por në shumë raste në call center. Ose, më saktësisht, sektori që pranoi pjesën më të madhe të këtyre investimeve, sipas GAP, ishte ai i aktiviteteve të patundshmërisë, me 770 milion euro, që përbën 75% të gjithë investimeve. Më pas vijnë investime të tjera të huaja, po kështu të tilla që nuk kanë ndikim shumë domethënës në zhvillim të mirëfilltë ekonomik të vendit, në rritjen e punësimit, në gjenerimin e më shumë vendeve të reja të punës. Kështu, pas investimeve në paluajtshmëri, radhiten aktivitetet financiare dhe të sigurimit me 124.8 milion euro (12%), tregtia me shumicë dhe pakicë me 32.1 milion euro (3%), informimi dhe komunikimi me 26.2 milion euro (3%) dhe furnizimi me energji elektrike, gaz dhe avull me 22.1 milion euro (2%).
Në Kosovë, pra, edhe gjatë 2025 – tës, nga investimet e huaja nuk pati ndonjë investim të vlershëm të prodhimit, nuk pati ndonjë ndërtim të kapaciteve prodhuese as industriale, që do të gjeneronte vende të reja pune, për ndonjë partneritet serioz privat të rëndësishëm për ekonominë e vendit. Nuk pati investime të huaja në energjetikë, sidomos në ndërtimin e kapaciteteteve të planifikuara dhe në njëfarë mënyre të joshura për investitorë të huaj që të investojnë në kapacitetet e energjisë së rinovueshme.
Që në pranverë të 2023-tës është bërë publike shpallja e ankandit të parë nga Qeveria e Kosovës për parkun me energji solare me kapacitet prej 100 megavatësh në vlerë 75 milionë euro, ndërsa me 2024, më në fund u vendos për konzozorciumin që do të ndërtonte këtë impiant solar në fushat e komunës së Rahovecit. Dhe, deri tani, në prill të 2026-tës, realizimi i projektit solar sipas ankandit të parë solar në vend (konzorciumi përbëhet edhe nga investitorë të huaj) ka mbetur ende në pritje të finalizimit, përkundër nevojës shumë të madhe që ka vendi për energji elektrike. Por edhe në sektorë të tjerë të prodhimit më 2025, kanë munguar investimet e huaja. Ndërsa, vrojtuesit e vëmendshëm, sidomos ata që trajtojnë dhe preokupohen më seriozisht me zhvillimet ekonomike, nuk i vlerësojnë edhe aq shumë investimet e orientuara në këto përmasa në paluajtshmëri. /Buletini Ekonomik/








