Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka njoftuar se ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ për Pagesat Direkte – Subvencionet 2026, përmes të cilit, sipas tij, obligohet Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë të hapë thirrjen për mbështetjen e fermerëve në Kosovë.
Në një postim në Facebook, Muja ka thënë se pagesat do të realizohen shpejt pas verifikimit dhe sipas afateve të përcaktuara në udhëzim.
“Sot kam nënshkruar Udhëzimin Administrativ për Pagesat Direkte – Subvencionet 2026, përmes të cilit obligohet Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë të hapë thirrjen për mbështetjen e fermerëve të Kosovës. Pagesat do të realizohen shpejtë, pas verifikimit, sipas afateve të përcaktuara në Udhëzimin Administrativ”, ka shkruar Muja.
Sipas tij, risitë kryesore për vitin 2026 përfshijnë rritje të mbështetjes për disa kultura dhe kategori.
“Risitë kryesore të mbështetjes për vitin 2026 janë: 30% rritje për sipërfaqet e mbjella me perime në fushë të hapur dhe në serra… 30% rritje për sipërfaqet e mbjella me pemë… 20% rritje për pagesat e grurit me rendiment të lartë… 7 cent për litër subvencion për qumështin”, ka bërë të ditur Muja.
Në listën e masave, ministri ka përmendur edhe 20 për qind rritje për sipërfaqet e mbjella me mjedra, patate dhe fasule, si dhe rritje për mbështetjen e mëshqerrave për riprodhim dhe viçave për majmëri. Po ashtu, ai ka njoftuar për 10 për qind rritje për sipërfaqet e mbjella me vreshta.
Muja ka thënë se paketa parasheh edhe mbështetje shtesë për fermerët dhe inputet bujqësore, duke përmendur 100 euro shtesë për secilin fermer që kultivon hektarin e parë, 100 euro për hektar për plehun artificial, 54 euro për hektar për naftën, si dhe 500 euro mbështetje për të rinjtë dhe të rejat 18–29 vjeç që regjistrohen për herë të parë në skemat e pagesave direkte.
Ai ka theksuar se kulturat e tjera mbeten sipas vitit të kaluar, ndërsa ka vlerësuar se me këtë paketë synohet rritja e prodhimit vendor dhe fuqizimi i fermerit aktiv.
“Me këtë paketë, po rrisim mbështetjen për prodhimin vendor, po fuqizojmë fermerin aktiv dhe po e bëjmë bujqësinë më të qëndrueshme e më konkurruese”, ka shkruar ministri.
Muja ka njoftuar po ashtu se udhëzimi i sivjetmë është konceptuar si kornizë afatgjatë, duke e cilësuar këtë si risi në raport me praktikat e deritanishme.
“Një risi e rëndësishme është se ky Udhëzim Administrativ… është konceptuar si një kornizë afatgjatë sipas praktikave të BE-së… që në vitet në vijim thirrjet për aplikim të hapen me kohë dhe të jenë të harmonizuara me kalendarin e punëve bujqësore”, ka theksuar Muja.









