ZKA me paralajmërim për sistemin e tatimit në pronë: Qytetarët mund të penalizohen padrejtësisht edhe kur paguajnë me kohë

Sistemi i Tatimit në Pronë (SITP), përmes të cilit administrohet një nga burimet kryesore të të hyrave për komunat e Kosovës, po përballet me mangësi serioze që rrezikojnë saktësinë e faturave, regjistrimin korrekt të pagesave dhe trajtimin e drejtë të tatimpaguesve.

Kjo është një nga gjetjet kryesore të raportit të fundit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), i cili ka analizuar funksionimin e sistemit që përdoret për regjistrimin e pronave, lëshimin e faturave dhe mbledhjen e tatimit në pronë në nivel vendi.

Sipas raportit, sistemi aktual nuk arrin të garantojë gjithmonë të dhëna të plota, të sakta dhe të besueshme. Auditorët kanë identifikuar probleme në testimin e ndryshimeve të sistemit, në kontrollin e të dhënave hyrëse, në përpunimin e pagesave, si dhe në aspektin e sigurisë së informacionit.

Reklama e sponzorizuar

Një nga rastet më shqetësuese lidhet me mënyrën se si sistemi trajton pagesat e qytetarëve. Auditimi ka konstatuar se në disa raste pagesat nuk shpërndahen në mënyrë proporcionale nëpër detyrimet e tatimpaguesit, duke krijuar borxhe të pasakta në sistem. Si rezultat, qytetarët mund të figurojnë si borxhlinj (debitorë) edhe kur kanë kryer pagesat e nevojshme.

Raporti paralajmëron se mangësitë në regjistrimin e pagesave bëjnë që sistemi të mos regjistrojë gjithmonë datën reale të pagesës. Kjo mund të çojë në situata ku qytetarët penalizohen me interesa dhe gjoba, pavarësisht se pagesën e kanë kryer brenda afateve ligjore.

“Sistemi nuk ofron kontrolle të mjaftueshme për përpunimin dhe vlefshmërinë e transaksioneve, duke ndikuar në shpërndarje jo të drejtë të pagesave të borxhit dhe ndëshkime dhe interesa të padrejta për qytetarët. Mospërdorimi i datës reale të pagesës, vonesat dhe dështimet në procesin për shkak të mungesës së validimit të UNREF-it krijojnë situata ku tatimpaguesit mund të ngarkohen me interesa pavarësisht pagesës brenda afatit ligjor”, thuhet në raport.

Sipas legjislacionit në fuqi, tatimi në pronë paguhet në dy këste gjatë vitit. Nëse pagesa nuk evidentohet saktë, sistemi mund të aplikojë interesa dhe ndëshkime për detyrimet e papaguara. Pikërisht këtu auditorët kanë ngritur shqetësimin se gabimet teknike mund të prodhojnë pasoja financiare për qytetarët.

Auditimi ka gjetur gjithashtu probleme në ndërlidhjen e sistemit me bazat e tjera shtetërore të të dhënave. Mangësitë në lidhjen me të dhënat e Agjencisë Kadastrale të Kosovës dhe me Sistemin e Anketimit kanë krijuar raste kur informacionet për pronat ose tatimpaguesit nuk janë të sakta apo të përditësuara.

Një tjetër problem lidhet edhe me historikun e zhvillimit të sistemit. Sipas raportit, gjatë procesit të reformimit të tatimit në pronë në vitin 2018 u krijua një faturë unike për tatimpaguesit, e cila duhej të shpërndahej automatikisht nëpër prona të ndryshme. Megjithatë, ky funksion, sipas ZKA-së, nuk ishte testuar mjaftueshëm dhe problemet vazhdojnë të ndikojnë në funksionimin e sistemit edhe sot.

Auditorët kanë konstatuar tutje se sistemi është zhvilluar ndër vite edhe pa dokumentim të mjaftueshëm teknik dhe me varësi të madhe nga zhvillues individualë. Raporti përmend se ekipi i kontraktuar për zhvillimin e sistemit u largua para përfundimit të angazhimit pa proces të rregullt dorëzim-pranimi dhe pa dokumentacion të plotë, gjë që ka vështirësuar mirëmbajtjen dhe përmirësimin e mëvonshëm të platformës.

E përgjegjësia për këto mangësi, sipas auditorëve, nuk bie vetëm mbi sistemin, por edhe mbi mekanizmat mbikëqyrës të Ministrisë së Financave.

“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve nuk arrin të siguroj që zhvillimet që realizohen në sistemin e tatimit në pronë arrijnë saktësisht qëllimin e tyre, në mungesë të procedurave që sigurojnë kontrolle të brendshme funksionale lidhur me testimin e zhvillimit të ndryshimeve në sistem”, thuhet në raport.

Auditorët vlerësojnë se mungesa e kontrolleve të mjaftueshme nga Ministria e Financave ka ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e funksionimit të sistemit. Sipas raportit, mangësitë në regjistrimin e pagesave dhe në evidentimin e datës së saktë të pagesës bëjnë që sistemi të mos pasqyrojë gjithmonë gjendjen reale të faturave, duke krijuar rrezik që qytetarët të penalizohen padrejtësisht.

“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve nuk ka kontrolle mjaftueshëm që sigurojnë plotësinë dhe saktësinë e rezultateve. Prandaj, Sistemi i Tatimit në Pronë ka mangësi në regjistrimin e pagesave dhe nuk e regjistron datën e saktë të kryerjes së pagesës, nuk e pasqyron gjendjen reale të faturës, nuk mundëson pasqyrim dhe zbatim të saktë të kërkesave ligjore dhe rregullative. Si pasojë, qytetarët mund të penalizohen padrejtësisht me interesa pavarësisht pagesës në kohë, duke ulur besueshmërinë në sistemin tatimor”, thuhet në raport.

Si përfundim, Zyra Kombëtare e Auditimit vlerëson se Ministria e Financave bashkë me komunat kanë nevojë për përmirësime të konsiderueshme në administrimin e sistemit për të garantuar mbrojtjen e të dhënave, saktësinë e faturimit dhe trajtimin korrekt të tatimpaguesve. Sipas kompetencave ligjore, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka rol udhëheqës dhe mbikëqyrës në nivel qendror, ndërsa komunat janë përgjegjëse për regjistrimin e pronave, lëshimin e faturave dhe mbledhjen e pagesave përmes këtij sistemi. Të hyrat e mbledhura, më pas, përdoren për financimin e projekteve dhe shërbimeve që synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve. /Buletini Ekonomik/