MINTI siguron 8.78 milionë franga për transformimin e gjelbër të bizneseve në Kosovë

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka nënshkruar një marrëveshje pesëvjeçare me vlerë prej 8.78 milionë frangash zvicerane për zbatimin e projektit “Transformimi i Gjelbër i Ndërmarrjeve Private në Kosovë (GPEK)”.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministrja Mimoza Kusari-Lila dhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jürg Sprecher, në bashkëpunim me Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe me bashkëfinancim nga Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA).

Projekti, i cili do të zbatohet gjatë periudhës 2026–2031, synon të mbështesë tranzicionin e gjelbër të sektorit privat në Kosovë, me fokus të veçantë tek ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Përmes tij do të promovohet përdorimi i teknologjive më të pastra, rritja e efikasitetit në përdorimin e burimeve dhe adoptimi i praktikave të qëndrueshme të biznesit.

Reklama e sponzorizuar

Ministrja Kusari-Lila theksoi se transformimi i gjelbër i industrisë dhe ekonomisë mbetet një nga prioritetet strategjike të ministrisë, duke nënvizuar rëndësinë e investimeve në inovacion dhe teknologji të qëndrueshme për zhvillimin ekonomik afatgjatë të vendit.

Sipas saj, projekti do të kontribuojë në rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve vendore, promovimin e investimeve të gjelbra, krijimin e vendeve të reja të punës dhe përfshirjen më të madhe të kategorive të nënpërfaqësuara në ekonominë e vendit.