A e dini dallimin mes inflacionit të përgjithshëm dhe inflacionit bazë?

Kur dëgjojmë se inflacioni në Kosovë është rritur ose ka rënë, zakonisht bëhet fjalë për inflacionin e përgjithshëm. Por në raportet e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shpesh përmendet edhe një tregues tjetër – inflacioni bazë. Edhe pse të dy masin ndryshimin e çmimeve, ata nuk janë e njëjta gjë.

Çfarë është inflacioni i përgjithshëm?

Inflacioni i përgjithshëm mat rritjen e çmimeve të të gjitha mallrave dhe shërbimeve që konsumojnë familjet, nga ushqimi e pijet deri te energjia, transporti, qiratë dhe shërbimet e tjera.

Me fjalë të thjeshta, ai tregon sa më shumë ose më pak po paguajnë qytetarët për jetën e përditshme krahasuar me një vit më parë.

Çfarë është inflacioni bazë?

Inflacioni bazë është një matje më e “pastruar” e inflacionit. Në llogaritjen e tij përjashtohen kategoritë që kanë luhatje të mëdha dhe të shpeshta të çmimeve, kryesisht ushqimi dhe energjia.

Qëllimi është të shihet nëse çmimet në ekonomi po rriten në mënyrë më të qëndrueshme dhe afatgjatë, pa ndikimin e faktorëve të përkohshëm si ndryshimet sezonale të ushqimeve apo lëvizjet e çmimeve të naftës dhe energjisë.

Si e mat BQK-ja?

BQK-ja mbështetet në të dhënat e çmimeve të mbledhura nga Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe llogarit dy tregues:

-Inflacionin e përgjithshëm, ku përfshihen të gjitha kategoritë e konsumit; dhe

-Inflacionin bazë, ku hiqen komponentët me luhatshmëri të lartë, për të kuptuar më mirë trendin themelor të çmimeve.

Çfarë tregojnë shifrat e fundit?

Sipas të dhënave të BQK-së, dallimi mes dy treguesve është bërë më i dukshëm gjatë muajve të fundit.

Në prill 2026, inflacioni i përgjithshëm në Koosvë ka arritur në 7.5 për qind, ndërsa inflacioni bazë në 4.4 për qind.

Kjo do të thotë se një pjesë e konsiderueshme e rritjes së çmimeve ka ardhur nga kategoritë më të paqëndrueshme, si ushqimi dhe energjia, të cilat ndikojnë në inflacionin e përgjithshëm, por nuk përfshihen në inflacionin bazë.

Matja e inflacionit nga BQK-ja 2025-2026

Një shembull i thjeshtë, nëse çmimi i naftës rritet ndjeshëm për shkak të zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare, kjo mund të shtrenjtojë transportin dhe energjinë, duke e shtyrë lart inflacionin e përgjithshëm.

Megjithatë, nëse çmimet e shumicës së mallrave dhe shërbimeve të tjera mbeten të qëndrueshme, inflacioni bazë mund të rritet shumë më pak.

Kjo prirje vërehet edhe në të dhënat e fundit të BQK-së. Në prill 2025, inflacioni i përgjithshëm ishte 3 për qind, ndërsa inflacioni bazë 2.3 për qind. Një vit më vonë, inflacioni i përgjithshëm është rritur në 7.5 për qind, ndërsa ai bazë në 4.4 për qind, që tregon se një pjesë e konsiderueshme e rritjes së çmimeve vazhdon të ndikohet nga faktorë të jashtëm dhe kategori me luhatshmëri më të lartë, si ushqimi dhe energjia.

Prandaj, kur inflacioni i përgjithshëm është dukshëm më i lartë se inflacioni bazë, kjo zakonisht konfirmon se rritja e çmimeve po ndikohet kryesisht nga faktorë të jashtëm ose të përkohshëm. /Buletini Ekonomik/