KEK nënshkruan kontratë mbi 265 mijë euro për modernizimin e sistemit të monitorimit në Termocentralin Kosova B

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se ka përmbyllur procedurën e prokurimit për modernizimin e sistemit të monitorimit në njësitë B1 dhe B2 të Termocentralit Kosova B, projekt me vlerë prej 265,712.40 euro.

Sipas njoftimit zyrtar, kontrata përfshin demontimin e pajisjeve ekzistuese, furnizimin dhe montimin e pajisjeve të reja, si dhe lëshimin në punë dhe komisionimin e sistemit për monitorimin e vibrimeve, zgjatjeve diferenciale, zhvendosjeve aksiale dhe zhvendosjeve absolute.

Në garën tenderuese kanë marrë pjesë tre operatorë ekonomikë, ndërsa kontrata i është dhënë grupit të operatorëve ekonomikë Bionics Sh.P.K. dhe TURBOCOM d.o.o., me seli në Prishtinë.

Reklama e sponzorizuar

Kontrata është dhënë më 17 qershor 2026, ndërsa nënshkrimi i saj është bërë më 24 qershor 2026. Sipas dokumenteve të publikuara, nuk parashihet angazhimi i nënkontraktorëve në zbatimin e projektit.

Ky investim synon avancimin e sistemeve të monitorimit dhe kontrollit të pajisjeve në njësitë prodhuese të Termocentralit Kosova B, me qëllim rritjen e sigurisë, besueshmërisë dhe efikasitetit operacional të termocentralit.