Ministria e Mjedisit paditet për vazhdimin e lejeve për hidrocentralet Deçani dhe Belaja

Hidrocentralet në Deçan

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike, së bashku me organizatat Pishtarët, EcoZ dhe Gjethi, kanë dorëzuar padi në Gjykatën Administrative në Prishtinë kundër Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), lidhur me vazhdimin e lejeve mjedisore për hidrocentralet Deçani dhe Belaja, të publikuara më 16 qershor.

Padia lidhet me procedurën e ndjekur për vazhdimin e lejeve mjedisore për këto hidrocentrale në komunën e Deçanit.

Sipas Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike, ky rast nuk ka të bëjë vetëm me dy leje mjedisore, por edhe me mënyrën se si institucionet publike marrin vendime dhe nëse gjatë këtyre proceseve është respektuar e drejta e qytetarëve për pjesëmarrje.

Përmes padisë, organizatat kërkojnë që gjykata të anulojë lejet mjedisore për HC Belaja dhe HC Deçani, si dhe ta kthejë procedurën në fazën e diskutimit publik. Ato kërkojnë që Ministria të zhvillojë një konsultim të ri publik, duke siguruar qasje në kohë në dokumentet dhe informacionet relevante, si dhe duke arsyetuar mënyrën se si janë trajtuar komentet dhe provat e dorëzuara nga qytetarët.

“Për vite me radhë, qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile kanë kërkuar që publiku të ketë të drejtë të marrë pjesë në procedurat për lejet mjedisore. Kjo kërkesë u ngrit pas rastit të lëshimit të lejeve për hidrocentralet në Lumbardhin e Deçanit në vitin 2020”, thuhet në komunikatën e organizatave.

Sipas tyre, këto kërkesa janë mbështetur edhe më herët nga ministrja aktuale e Mjedisit, në kohën kur ajo ishte deputete dhe kryesuese e Komisionit Parlamentar për Mjedis.

Organizatat theksojnë se, bazuar në Udhëzimin Administrativ për Lejet Mjedisore të vitit 2025, për lejet mjedisore të hidrocentraleve në Deçan duhej të zbatohej procedura e diskutimit publik.

Ato pretendojnë se gjatë procesit kanë dorëzuar komente, analiza teknike dhe prova që ngrinin shqetësime për procedurën, por publiku nuk ka pasur qasje në kohë në dokumentet dhe informacionet e nevojshme.

“Përkundër faktit se Ministria ishte në dijeni se procesi nuk po zhvillohej sipas kërkesave ligjore, ajo vazhdoi me lëshimin e lejeve mjedisore për HC Deçani dhe HC Belaja, pa iu përgjigjur dhe pa i marrë në konsideratë komentet dhe provat e dorëzuara nga publiku”, thuhet në reagimin e organizatave. /Buletini Ekonomik/