
Kosova dhe Franca kanë thelluar bashkëpunimin dypalësh me nënshkrimin e pesë marrëveshjeve të reja, ku një nga fushat kryesore mbetet zhvillimi ekonomik dhe tranzicioni energjetik i vendit.
Pas ceremonisë së nënshkrimit, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, e cilësoi Francën një partner të rëndësishëm të Kosovës, ndërsa ministri i Deleguar për Evropën i Francës, Benjamin Haddad, konfirmoi mbështetjen e Parisit për zhvillimin e sektorëve strategjikë, me theks të veçantë në energji dhe klimë.
Haddad bëri të ditur se mbështetja e Francës përmes Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD) ka arritur në 80 milionë euro, fonde të destinuara për tranzicionin energjetik dhe luftën kundër ndryshimeve klimatike.
“Kemi sjellë me vete edhe disa kompani franceze dhe Agjencinë Franceze për Zhvillim, sepse ato besojnë në bashkëpunimin që mund të ndërtojmë së bashku. Mund të forcojmë marrëdhëniet tona tregtare, investimet franceze në Kosovë dhe të krijojmë më shumë mundësi biznesi mes dy vendeve tona”, tha Haddad.
Ai shtoi se marrëveshjet e reja krijojnë bazë për një bashkëpunim afatgjatë në sektorë me rëndësi strategjike për Kosovën.
Mbështetja franceze vjen në një periudhë kur Kosova synon të përshpejtojë tranzicionin energjetik përmes rritjes së kapaciteteve nga burimet e ripërtëritshme, përmirësimit të efiçiencës energjetike dhe uljes së varësisë nga prodhimi i energjisë me bazë thëngjilli.
Në kuadër të këtij partneriteti, fokusi pritet të jetë në modernizimin e sektorit energjetik, reduktimin e emetimeve të karbonit dhe mbështetjen e investimeve të gjelbra.
Përveç energjisë, pesë marrëveshjet e nënshkruara përfshijnë edhe fusha të tjera, si zhvillimi ekonomik, arsimi dhe përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 në Kosovë.
Konjufca theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj integrimit evropian dhe forcimit të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.
“Franca, qysh prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka qenë dhe mbetet një partner i rëndësishëm i Republikës së Kosovës”, deklaroi ai.










