BQK: Ekonomia e Kosovës u rrit me 5.4% në tremujorin e parë të vitit 2026

BQK - Buletini Ekonomik

Ekonomia e Kosovës shënoi përshpejtim të rritjes reale në tremujorin e parë të vitit 2026, duke u zgjeruar me 5.4 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kështu thuhet në raportin më të fundit “Vlerësimi Tremujor i Ekonomisë” të publikuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK).

Sipas raportit, rritja ekonomike u mbështet kryesisht nga përmirësimi i bilancit të eksporteve neto dhe rritja e konsumit publik, ndërsa investimet vazhduan të japin kontribut pozitiv, por me ritëm më të ngadalshëm.

“Rritja e eksporteve të mallrave dhe shërbimeve, e shoqëruar me ngadalësimin e importeve të mallrave, kontribuoi në përmirësimin e bilancit tregtar”, thuhet në raport.

BQK vlerëson se, ndryshe nga tremujori paraprak, kur konsumi privat dhe investimet ishin shtytësit kryesorë të rritjes, në TM1 2026 konsumi privat u tkurr, duke reflektuar ndikimin e inflacionit dhe ngadalësimin e financimit të konsumit. Në të njëjtën kohë, rritja e konsumit qeveritar kompensoi pjesërisht dobësimin e kërkesës së brendshme.

Raporti tregon gjithashtu se inflacioni u përshpejtua në 6.0 për qind, nga 5.2 për qind në tremujorin paraprak, kryesisht si rezultat i rritjes së çmimeve të shërbimeve dhe energjisë. Edhe inflacioni bazë shënoi rritje, duke arritur në 5.1 për qind, i nxitur kryesisht nga çmimet e shërbimeve.

LEXO EDHE: 

BQK: Ekonomia e Kosovës u rrit me 3.6% në vitin 2025, inflacioni pritet të arrijë 6.7% më 2026

Reklama e sponzorizuar

Në anën tjetër, në sektorin fiskal, të hyrat buxhetore u rritën me 9.9 për qind, duke arritur në 780.1 milionë euro, ndërsa shpenzimet u rritën me 13.8 për qind, duke gjeneruar një suficit primar prej 21.4 milionë euro. Sipas raportit, rritja e të hyrave u mbështet kryesisht nga performanca e TVSH-së dhe tatimeve direkte.

Megjithatë, raporti evidenton se investimet kapitale ranë me 29.6 për qind.

Ndërkohë, borxhi publik u rrit me 10.2 për qind, duke arritur në 1.87 miliardë euro, ose 15.6 për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV), si rezultat i rritjes së borxhit të jashtëm, ndërsa borxhi i brendshëm shënoi një rënie të lehtë.