Në botë bie ndjeshëm çmimi i naftës, në Kosovë “në qiell”

Çmimi i naftës në bursa ndërkombëtare ka rënë ndjeshëm nga e hëna pas pauzimit të sulmeve në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Iranit.

Çmimi i naftës në nivel bote ka rënë për më shumë se 9 për qind për fuçi. E siç ka shkruar CNN, çmimi është më i ulëti që nga fillimi i prillit. Prej mbi 100 dollarë për fuçi, çmimi ka rënë në rreth 87 dollarë.

Por për dallim nga trendi botëror, në Kosovë kjo nuk është reflektuar. Të martën e 28 korrikut, një litër nafte ka çmim maksimal prej 1.73 eurosh, sipas çmimit të përcaktuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Një litër benzinë kushton 1.52 euro e gasi 60 centë.

Çmimin më të lartë që nga nisja e luftës në Lindjen e Mesme nafta e arriti në Kosovë më 9 prill, kur një litër shitej për 1.91 euro.

Prej arritjes së armëpushimit mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare kishte shënuar rënie. Megjithatë, situata ndryshoi ditët e fundit pas rikthimit të sulmeve dhe mbylljes së sërishme të Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme për transportin e naftës në botë.