UP-ja shton studentët në Mjekësi me vendim të ministrit në largim


Ndërhyrje në vendimet e Këshillit Shtetëror të Cilësisë – KSHC – (Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim) po cilësohet vendimi i ministrit në largim të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, për shtimin e numrit të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Behxhet Shala, ka thënë se vendimi duhet të pezullohet. Kjo meqë beson se ai u mor për të përfituar vota në prag të zgjedhjeve dhe se përbën ndërhyrje në punën e KSHC-së, shkruan sot “Koha Ditore”.

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, përmes një njoftimi ditë më parë ka bërë të ditur se do ta shtojë numrin e studentëve në Mjekësi në bazë të vendimit të ministrit Bytyqi. Megjithatë, për këtë çështje nuk ka vendim të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC) si organ i vetëm që merr vendime të tilla.

Reklama e sponzorizuar

Sipas njoftimit të UP-së, nga 150 studentë sa ishin pranuar në afatin e korrikut, këtij numri do t’i shtohen edhe 134 të tjerë që e kanë kaluar pragun e kalueshmërisë në korrik.