Komuna e Kamenicës ka nënshkruar Kontratën Kolektive me mësimdhënësit në këtë komunë, me ç’rast janë pajtuar që mësimdhënësit që do të mbesin pa punë si pasojë e mbylljes së një numri shkollash, në risistemimin e nisur në këtë komunë, do të marrin 70 për qind të pagës, deri të gjejnë një vend pune.
Në një njoftim në Facebook, kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka thënë se sot “reforma e arsimit në Kamenicë ka hedhur hap të madh përpara”
“Kamenica po i jep mësim Kosovës se si zhvillohet arsimi e si mbrohet mësimdhënësi. Lajmi për nënshkrimi e Kontratës Kolektive është sihariq i madh në dy fusha tejet të rëndësishme për shoqërinë. Kjo kontratë i hap rrugë rritjes së cilësisë në arsim sepse asaj po i bashkohet komuniteti i mësimdhënësve, mësuesit e profesorët. Rëndësi të jashtëzakonshme ka edhe fakti se nënshkrimi i sotëm përbën kontratën e parë kolektive në nivel të ndërmarrjes. Problematikat e ngjashme në fushën e arsimit por jo vetëm, nuk do të trajtohen më individualisht, por kolektivisht dhe përmes sindikatës. Precedenti që kemi vendosur sot nuk është ai i kompromisit, por i bashkëpunimit. Kjo është e mundur sa herë marrëdhëniet midis nesh i kemi të ndërmjetësuara prej qëllimeve përparimtare. Dija e emancipimi janë të tilla”, ka shkruar ai.
Sipas Kastratit, kontrata e nënshkruar rregullon çështjen e risistemimit dhe mbron interesat e mësimdhënësit, “duke u siguruar që ASNJË mësimdhënës nuk do të mbetet pa të ardhura”.
“Lajm shumë i mirë për prindërit e fëmijët, për të cilët shkolla tani e tutje do të jetë institucion serioz e atraktiv që përgatitë qytetarë të përgjegjshëm në shoqëri. Komuna e Kamenicës dëshmoi që ndonëse me kapacitete të kufizuara, mund të marrë përsipër një reformë rrënjësore e të rëndësishme për të ardhmen e komunitetit të saj. Barazia sociale, mendimi kritik e zhvillimi i gjithëmbarshëm janë karakteristika të shoqërive që synojnë zhvillim e përparim. Për mua personalisht, nisma për reformën në arsim dhe qëndrimi për një kauzë nga e cila përfiton nxënësi, është ndër detyrat më të rëndësishme për të cilat do të vazhdoj të angazhohem së bashku me grupet e interesit dhe komunitetin në tërësi. Jam i lumtur që në këtë rrugëtim sot na është bashkuar edhe SBASHK-u”, ka vazhduar ai.
Në ndërkohë, në një përgjigje për Koha.net, zyrtarë të SBASHK-ut kanë thënë se janë pajtuar me këtë kontratë pasi kanë kuptuar nga përfaqësues të tyre në Kamenicë se mësimdhënësit janë pajtuar me kushtet e kontratës.
Ata kanë bërë të ditur se mësimdhënësve do t’u ndahet 70 për qind e pagës deri të gjejnë një vend pune, me afat maksimal deri 10 vjet.
Reforma në arsim e nisur në këtë komunë në fazën e parë, parasheh mbylljen e gjashtë shkollave me numër të vogël nxënësish dhe sistemin e tyre në shkolla të tjera.