Cisco është kompania më e mirë për të punuar në nivel botëror. Ky është rezultati i klasifikimit Great Place to Work, për vitin 2019, që iu referohet vendeve të punës në nivel global. Analiza dhe studimi i klimës së kompanisë përfshiu më shumë se 8 mijë kompani dhe më shumë se 12 milionë punonjës në të gjithë botën.
Në krye të klasifikimit, siç e thamë pak më sipër, është Cisco, kompania që vepron në sektorin e Teknologjisë së Informacionit. Në vend të dytë, Hilton, një ndër aktorët më të mëdhenj në sektorin e hotelerisë dhe akomodimit. Salesforce, kompani që vepron në sektorin Teknologjisë së Informacionit, e cila vitin e kaluar kryesonte klasifikimin, këtë vit zbret në vendin e tretë.
Sa i përket larmishmërisë së sektorëve mes 25 kompanive, sektori i “Teknologjisë së Informacionit” përfaqësohet me 8 kompani; “Shërbimet financiare dhe siguracione”, 4 kompani; “Shërbimet profesionale”, 3 kompani; Asistencë shëndetësore, bioteknologji, produkte farmaceutike dhe prodhim, 2 kompani për secilin sektor.
Shtetet e Bashkuara janë ndër vendet më të përfaqësuara, 13 kompani, ndjekur nga Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Zvicra, secili vend përfaqësohet me nga 2 kompani. /Monitor.al/