Prokurori Special Admir Shala një konferencë për medie ka njoftuar se institucioni i Prokurorit të Shtetit ka pranuar ekspertizën për Astrit Deharin nga Zvicra.
Prokurori ka bërë me dije që fillimisht raporti do t’i kalohet prokurorit të rastit pastaj do të dërgohet për përkthim e më pas do të njoftohet publiku në lidhje me përmbajtjen e raportit.
“Ju njoftojmë se siç e shihni edhe ju këtu, ky raport është me zarf të mbyllur akoma dhe nuk e dimë se çka ka brenda saj, këto janë vulat e pranimit Ambasada e ka pranuar dje zarfin, ndërsa sot është dorëzuar në Prokurorinë e Shtetit me 17.10.2019”, ka thënë Shala
“Ne këtë zarf do t’ia dorëzojmë prokurorit të rastit, i cili do ta hapë dhe pastaj do të dorëzohet për përkthim gjuhën shqipe, sepse raporti sigurisht është në njërën nga gjuhët zyrtare të Zvicrës dhe pas kësaj ne do ta njoftojmë opinionin publik për përmbajtjen e këtij raporti”, ka thënë ai.
Mes tjerash, prokurori special ka bërë thirrje që deri në publikimin e raportit të përmbahemi nga prononcimet apo deklarimet që mund ta dëmtojnë rastin
Shala ka theksuar se nga momenti i dorëzimit të lëndës në Zvicër, Kosova ka pasur komunikime të vazhdueshme për plotësim të dokumentacionit për rastin e Astrit Deharit. /Insajderi.com/