Në fund të vitit 2016-të, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) kishte blerë një laborator mobil (të lëvizshëm) në vlerë 85 mijë euro për të kryer kontrolle të cilësisë së naftës në tërë Kosovën. Mirëpo, ani pse pajisjet erdhën me kohë, laboratori sot e kësaj dite nuk është funksional.
Auditori i Përgjithshëm ka hartuar një raport këtë muaj mbi cilësinë e naftës në Kosovë dhe ka gjetur se mosfunksionalizimi i këtij laboratori ka të bëjë me arsye krejt qesharake.
“Inspektorati është në mungesë të një automjeti të posaçëm që është i përshtatshëm për të mbrojtur pajisjet dhe mostrat nga dëmtimet që mund t’u shkaktohen nga lëvizja në terren. Gjithashtu, ka nevojë për staf që do të kryejnë këto analiza, prandaj deri më tani nuk ka arritur të funksionalizojë laboratorin”, thuhet në raportin “Sistemi i Kontrollit dhe Monitorimit të Cilësisë së Derivateve të Naftës”.
Pajisja e parë ED XRF, (43,070 Euro) shërben për përcaktimin e përmbajtjes së sulfurit në karburante të lëngëta të naftës – gazoil dhe vajgur. Pajisja tjetër – FTI Spektrometër (41,919.97 Euro) shërben për testim të një varg parametrash për benzinë, dizel dhe bio-dizel.
“Të dyja këto pajisje janë të përshtatshme për punë në laborator mobil”, konstaton Auditori.
Përmes këtij laboratori parashihej që Inspektorati i Tregut që funksionon në kuadër të MTI-së, të kryejë testime orientuese për cilësi të derivateve.
Por edhe pse udhëzimet e ministrisë e parashohin mundësinë që të kryhen testime indikative, duke qenë se Laboratori mobil deri më tani nuk është funksionalizuar, asnjëherë nuk janë kryer testimet indikative nga ana e Inspektoratit.
Inspektorati mund të marrë mostra dhe të bëjë testime orientuese (indikative) për cilësinë e karburanteve të naftës përmes kapaciteteve që ka në dispozicion. Nëse rezultatet orientuese (indikative) janë jo konform, atëherë Inspektorati duhet t’i zhvillojë procedurat e mëtutjeshme për vlerësim të konformitetit .
Analizat indikative do ta lehtësonin punën e Inspektoratit që të vazhdojnë me testime të mëtutjeshme vetëm në rastet kur rezultatet indikative tregojnë se ka probleme, kështu do të zvogëlonin edhe shpenzimet e bizneseve duke i obliguar të paguajnë më pak për testime. Rezultatet do të dilnin shumë më shpejtë dhe do të lehtësonin punën e Inspektoratit”.
“Pajisjet e blera duke qenë se nuk janë në përdorim mund të dëmtohen fizikisht dhe rrezikojnë që të mos arrijnë vlerën për paratë publike të investuara në to”, vlerëson Auditori. /Buletini Ekonomik/