Mjekët, të cilët punojnë edhe në sektorin publik, edhe në atë privat në Kosovë, e kanë kundërshtuar idenë e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtit, që ka thënë se nuk do t’i lejojë ata të punojnë në të dy sektorët. Me marrjen e një vendimi të tillë është thënë se institucionet shëndetësore publike do të zbrazen, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Kryeministri në ardhje i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për emisionin “New Bugajski Hour” në Radio Televizionin e Kosovës, ka thënë se mjekët, të cilët kanë marrëdhënie pune në spitale private dhe në publike njëkohësisht, duhet të zgjedhin ndërmjet njërës punë.
Megjithatë, një gjë të tillë nuk e kanë mirëpritur mjekët, të cilët punojnë në të dy sektorët në vend. Me marrjen e këtij vendimi është thënë se mjekët do të zgjedhin të punojnë në institucionet private dhe do ta lënë punën në ato publike.
Nga deklarimet e pasurisë që janë bërë këtë vit në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit është parë se disa nga mjekët paguhen shumë më shumë në institucionet private sesa në QKUK e në spitale rajonale.
Në deklarimin e pasurisë së tij drejtori i Klinikës së Onkologjisë në QKUK, Ilir Kurtishi, ka thënë se merr pagë mujore prej 848 eurosh nga Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës, nga kujdestaritë në këtë institucion merr 340 euro, nga Fakulteti i Mjekësisë merr 375 euro, ndërsa nga kolegji “Rezonanca” merr 1.200 euro.
Drejtori i Klinikës Emergjente, Basri Lenjani, merr si pagë vjetore nga QKUK-ja 10.800 euro, ndërsa nga kolegji “Rezonanca” ai merr 12 mijë e 480 euro.
Kurse drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Arbër Tolaj, në deklarimin e pasurisë së tij ka thënë se si pagë vjetore nga QKUK-ja merr 11 mijë e 392.57 euro, nga komisionet mjekësore merr 360 euro, nga puna private në ordinancën ortopedike 3000 euro, nga shërbimet profesionale në spitalin “Otrilla” merr 2.497.36 euro, si dhe nga ekspertiza mjekësore në biznesin privat NSH “Drini & Rroni” 15 mijë e 900 euro.