Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka kthyer sërish në vlerësim tenderin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për furnizim me shirit transportues gomë-pëlhurë.
Në këtë proces prokurimi, vlera e parashikuar e të cilit është 5.1 milionë euro, OSHP-ja ka konstatuar se vlerësimi dhe krahasimi i tenderëve nuk janë bërë konform Ligjit të Prokurimit Publik dhe njëkohësisht nuk është respektuar neni 60 i këtij ligji, sipas të cilit kriter kryesor për dhënien e kontratës është oferta e përgjegjshme me çmim më të ulët, shkruan sot “Koha Ditore”.
Sipas vendimit të së ashtuquajturës Gjykatë e tenderëve, KEK-u në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik gjatë kohës për sqarime shtesë kishte pranuar dokumente nga një operator ekonomik pas hapjes së ofertave për tenderin.
Kjo bie ndesh me nenin 72 të LPP-së, i cili thotë se “sigurimi i informacionit që mungon ose ofrimi i informacionit do të aplikohet vetëm për dokumentet, ekzistenca e të cilave është e fiksuar, para skadimit të afatit për dorëzimin e tenderëve, dhe mund të verifikohet në mënyrë objektive”.