Pas dorëheqjes së Gent Begollit nga pozita e kryeshefit ekzekutiv në Telekom, Lëvizja Vetëvendosje po pretendon se në këtë pozitë është vënë Trim Musliu, producent filmash dhe i cili deri më tani në Telekom e ka udhëhequr drejtorinë e marketingut, përcjell Buletini Ekonomik.
Fatban Bunjaku nga Komiteti për komunikime elektronike dhe postare të Lëvizjes Vetëvendosje ka kritikuar zgjedhjen e ushtruesit të detyrës së kryeshefit të PTK-së, duke e konsideruar si person pa eksperiencë.
“Këto ditë po flitet se ushtrues detyre në Telekom është vendosur Trim Musliu, producent filmash dhe me pak eksperiencë në fushën e menaxhimit të Telekomit. Mosveprimi sipas rezolutës është pjesëmarrje aktive në rrënimin e kësaj ndërmarrje”, është shprehur Bunjaku.
“I bëjmë thirrje Prokurorisë që të veprojë në kompetencat e saj karshi kontratës kriminale që po e gërryen Telekomin. Nuk mjafton të marrë në gjykim ish-drejtues, por duhet ta bllokojë kontratën”, ka shtuar ai. /Buletini Ekonomik/