Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj thotë se nëse Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, e bëjnë një gabim të tillë, duke e hqur taksën, do të ishte e pafalshme dhe se me ata do të talleshin bashkësia ndërkombëtare e Serbia, ndërsa shton se heqja e taksës është ekuivalent me Gjykatën Speciale.
Haradinaj për kosovapress thotë se plot qëndrime janë mashtrim të Kurtit dhe të Vetëvendosjes.
Ndërsa, në rast se dështon krijimi i institucioneve të vendit, si Aleancë do të shkojnë të vetëm në zgjedhje.
“Mos harroni se një pjesë e këtyre mallrave është kompensuar me mallra të vendit, me prodhues, ky është një tregues i jashtëzakonshëm për ekonominë e vendit fakti që prodhuesit kanë filluar me ardhë në shprehje në treg, në ekonomi. Nëse z.Kurti dhe znj.Osmani e bëjnë këtë bëjnë gabim të jashtëzakonshëm, nuk ia fal kush. Heqja e taksës është ekuivalent me Gjykatën Speciale, i kanë bërë presion z. Thaçi dhe kolegëve të tjerë me e votua, një ditë më vonë i kanë thënë se është vendimi juaj”, tha Haradinaj.
Haradinaj thotë se largimi i taksës është gabim kur Serbia po vazhdon që t’i përkeqësojë raportet ndaj Kosovës. Sipas tij, largimi i taksës 100 përqind ndaj produkteve të Serbisë do të ishte në dëm të prodhuesve vendor, që gjatë kësaj kohe kanë shënuar rritje në prodhim e punësim.
Sa i përket asaj që kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe pretendenti për kryeministër të vendit, Albin Kurti, kishte deklaruar se ndaj Serbisë do të vendosej masa e reciprocitetit, Haradinaj thotë se taksa dhe reciprociteti mund të funksionojnë së bashku.
“Munden me i paketua bashkë këto të dyja, me vendos reciprocitet pa e heq taksën. Taksa është masë dënuese, reciprociteti ka elemente të tjera, për shembull unë e mirëpres vendosjen e reciprocitetit duke mos heq taksën. Pra, unë kam bërë veç një kompromis, unë kam rënë dakord prej opozitës me propozimet e pozitës për masa të reciprocitetit ose për reciprocitet në cdo sferë, aq sa mbërrin me zbatua se reciprocitet ti si anëtarë i OKB-së e ki më zor me i krijua reciprocitet Serbisë në plot sfera, por jam për reciprocitet duke mos e hequr taksën. Nëse e heqim taksën reciprociteti nuk ka asnjë vlerë”, thotë ai.