Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit (MIT) po tenton ta keqpërdorë buxhetin e shtetit për rreth dy milionë euro për një tender që kjo ministri po pretendon ta realizojë kundërligjshëm.
Para pak ditëve, MIT ka shpallur fituesit e tenderit “Rikonstruimi i rrugës Rajonale R115, Segmenti Prizren-Prevallë”. Tenderi është ndarë në dy lote (pjesë).
Lajmi.net kishte raportuar se fituesit e tenderit ishin shpallur në kundërshtim me kërkesën e vetë ministrisë dhe në kundërshtim më Ligjin e Prokurimit.
Si rrjedhojë, kompanitë që u eliminuan në këtë tender u ankuan në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Ky organ caktoi ekspertin e vetë që të hetojë rastin. Eksperti gjeti shkelje të renda. Konkretisht, abuzim me rreth dy milionë euro për të dy pjesët e tenderit. Lajmi.net e posedon raportin e ekspertit të OSHP-së, i cili ka rekomanduar që ky tender të kthehet në rivlerësim. Por, ka rreth një muaj që Paneli Shqyrtues i OSHP-së e ka rekomandimin dhe nuk ka dhënë një gjykim në këtë lëndë.
Fitues të tenderit për lot 1 janë shpallur kompanitë “Company Eskavatori” Shpk & “Pro&Co Group” Shpk & “Best Company” me vlerë të kontratës prej 7,849,716.18 eurove. Më të lira se kjo kompani kanë qenë 5 të tjera.
Lot 2 të këtij tenderi e kanë fituar grupi i kompanive “Papenburg & Ardiani”, me çmim prej 6,643,867.79 eurove. Më të lira se kjo kompani kanë qenë edhe dy të tjera. Çmimi më i lirë ka qenë i kompanisë “SA-SALLAHU & GROMA HOLD”, në vlerë prej 5,894,246.39 euro, ose 749,621.40 euro më të lirë sesa oferta fituese.
Ditë më parë, lajmi.net ka raportuar se zv. ministri Rexhep Kadriu është borxhli te kompania “Papenburg & Ardiani”.
Në fund të muajit tetor në OSHP janë ankuar gjashtë garuesit për të dy lotet, disa prej tyre duke pretenduar se prokurimi i ministrisë i ka eliminuar pa të drejtë, e disa prej tyre duke pretenduar se kompanitë e rekomanduara për kontratë u rekomanduar në kundërshtim me ligjin: “Sallahu” & “Groma Hold”, “Saba Bellça” – dega në Kosovë & “Sb Construction” & “Fortesa O.P”, “Gjinoria” nga Shqipëria, “Drini Company”, “2A Group &2T”, “Lirigzoni”.
Eksperti i OSHP-së, Hysni Muhadri, është autorizuar që më datë 25 tetor, të nisë hetimin për këtë lëndë të prokurimit mbi pretendimet e palëve. Eksperti i OSHP-së e ka mbajtur këtë lëndë në shoshitje për 10 ditë, dhe më datë 05 nëntor, i’a ka dorëzuar Panelit të OSHP-së më të gjeturat e veta, duke konstatuar që Autoriteti Kontraktues ka bërë shkelje kur ka rekomanduar për kontratë për lot 1 dhe 2 kompanitë, si dhe ka bërë shkelje kur ka eliminuar nga gara konkurrentët tjerë, që ishin edhe më të lirë. Andaj, eksperti i OSHP-së ka rekomanduar Panelin që këtë lëndë autoriteti kontraktues ta kthejë në rivlerësim.
Duke shoshitur pretendimet e kompanisë “Sallahu” për lot 1, eksperti shqyrtues konstaton se kjo kompani nuk ka qenë e përgjegjshme për këtë lot, ndërkohë sipas ekspertit, për lot 1 i është dhënë tenderi grupit të kompanive “Company Eskavatori” Shpk & “Pro&Co Group” Shpk & “Best Company” në kundërshtim me ligjin. Po sipas ekspertit, kompania “Sallahu” është eliminuar kundërligjshëm për pjesën e dytë, pasi i ka plotësuar të gjitha kërkesat për të cilat e ka eliminuar autoriteti kontraktues, ndërkohë që “Sallahu”, pos që ka qenë kompania më e lirë, sipas ekspertit, është rekomanduar për kontratë kompania më e shtrenjtë e pa përgjegjshme. “Ndërsa ankesa për lot 2, të aprovohet si e bazuar,duke pasur parasysh që nuk qëndron arsyeja e eliminimit për lot 2, dhe lënda të kthehet në rivlerësim”, ka rekomanduar eksperti për lot 2, ne ankesën e “Sallahu”.
Grupi i kompanive “Saba Bellça” -dega në Kosovë & “Sb Construction” & “Fortesa O.P” janë ankuar vetëm se janë eliminuat pa të drejtë dhe se në raport me fituesin kanë pasur çmim më të lirë për mbi 1 milion euro. Eksperti shqyrtues i ka dhënë të drejtë në të gjitha pikat, pos në një pikë. Andaj, ka rekomanduar që kjo ankesë të trajtohet si pjesërisht e bazuar dhe lënda të kthehet në rivlerësim. Bëhet fjalë për lot 1, dhe sipas ekspertit ky grup i kompanive ka ofertuar Dudat doganor për pajisjet e kërkuara me peshë pak më ndryshe sesa ato të kërkuara në dosjen e tenderit.
Eksperti shqyrtues ka gjetur se kompania “Gjikuaria” nga Shqipëria është eliminuar nga gara pa të drejtë për pjesën e parë të tenderit, andaj është rekomanduar që lënda të kthehet në rivlerësim. Kjo kompani ka pasur ofertë më të lirë se fituesi mbi 400 mijë euro.
Eksperti shqyrtues e ka miratuar si pjesërisht të bazuar ankesën e “Drini Company”. Eksperti ka gjetur se kjo kompani është eliminuar më të drejtë, pasi nuk i ka plotësuar disa kushte të kërkuara, ndërkohë i ka dhënë të drejtë kompanisë kur ka thënë se kompanitë e rekomanduara për kontratë në lot 2 janë të papërgjegjshme në disa pika.
Pjesërisht e bazuar është miratuar edhe ankesa e kompanive “2A Group &2T”.
Kompania “Lirigzoni” në konzercium edhe me kompanitë “Rexha” e “Benita” ishin eliminuar nga prokurimi i ministrisë me arsyetimin se kishin ofruar të dhëna të rremë. Por, këtë pretendim e ka hedhur poshtë eksperti i OSHP-së, i cili ka rekomanduar se mbi bazën e kësaj ankese lot 1 të kthehet në rivlerësim dhe se ky konzercium është i përgjegjshëm të paktën, mbi bazën e arsyeshmërisë së eliminimit. Lajmi.net ka parë se ky konzercium ka çmim më të lirë prej rreth 1.3 milionë euro se sa kompania fituese e ministrisë.
Me gjithë të gjeturat e ekspertit të OSHP-së, shumë herë rastisë që Paneli i OSHP-së të ketë vendim të kundërt me mendimin e ekspertit, ani pse të dy palët thirrën në dokumentacionin e njëjtë, të ofertimit e kompanive, dosjen e tenderit, apo dhe LPP-në.
Ky nuk është rasti i vetëm në të cilin ka dyshime për manipulime të tenderëve nga ana e MIT. / Lajmi.net/