Telefonat mobil, sipas të gjitha matjeve tashmë janë pajisjet më të përdorura në gjithë botën. E sot në Kosovë shumica e qytetarëve kanë të paktën 1 ose më shumë pajisje telefonike. Për një vit vetëm nëpërmjet rrugëve zyrtare kosovarët blejnë rreth 60 mijë telefona, vlera e të cilëve është nga 6 deri 7 milionë euro.
Se kosovarët janë të fiksuar në telefona e dëshmojnë edhe të dhënat e Doganës së Kosovës, nga e cila është konfirmuar se për një vit në Kosovë vijnë rreth 60 mijë telefona nga vende të ndryshme të botës.
“Deri tani numri i evidentuar i telefonave në Kosovë është 47.484 copë, por presim që deri në fund të vitit ky numër të arrij në rreth 60.000 mijë copë sa edhe është mesatarja vjetore e zhdoganimit vlera e të cilëve është 6.5 milionë euro, dhe vijnë nga Kina, SHBA, Koreja Jugore dhe vende tjera”, thonë nga Dogana për FaktePlus.
E nga gjithë ky numër i telefonave para të mira fiton edhe shteti i Kosovës, pasi taksat e paguara për gjithë telefonët që hyjnë brenda vendit, arrijnë në 1.8 milion euro.
Dëshmi që kosovarët i përdorin shumë telefonat celular është edhe fakti se një pesë e madhe e tyre shpeshherë tentohet të futet pa u lajmëruar tek organet e shtetit, pra të futet si kontrabandë.
“Po kemi pasur disa raste ku janë kapur sasi të konsiderueshme të telefonave, si në kufi po ashtu edhe në brendi të territorit. Ky lloj produkti hyn në kategorinë e produkteve lehtë të kontrabandueshme pasi në sasi të vogël ka vlera të mëdha”, thuhet nga Dogana e Kosovës.
Gjithçka në celularë – ata tani janë të pazëvendësueshëm
Telefonat celularë tani më janë pajisje të personalizuara dhe në disa situata ata tashmë mund të përdoren edhe si mjete identifikimi. Në këta telefona gjithsecili ka thuajse gjithçka. Të dhëna personale, si dokumente e fotografi familjare, madje edhe xhirollogaritë bankare.
Meqë telefonat celular kanë edhe vlerë monetare, qytetarët në Kosovë në shumë raste janë bërë pre e keqdashësve. Hajnat i kanë lënë me mijëra qytetarë pa kujtime, pasi që në telefonat e tyre kanë pasur të ruajtura gjithçka.
“Më ka humbur telefoni… ma kanë vjedhur telefonin… e lajmërova në polici, por nuk është gjetur asnjëherë. Aty kisha edhe kujtime familjare…” janë fjalët që mund t’i dëgjosh shpesh nga qytetarët.
E që nuk ka mundur ta gjejë telefonin e tij e thotë edhe një qytetarë, i cili pohon se rastin e vjedhjes e ka lajmëruar në Polici, ku edhe i janë marrë të dhënat vetëm sa për të kryer rutinën procedurale.
“Ma kanë vjedhur telefonin nga xhepi. Isha duke bërë tërheqjen e parave nga banka dhe isha me ngutë kur më janë afruar disa persona fytyrat e të cilëve nuk i kam parë, pasi që nuk i kam kushtuar rëndësi, por sepse mu duken që ishin duke u zbavitur mes vete. Pasi kam mbërritur në ambientet e zyrës ku punoj kam tentuar ta marr dikë në telefon, dhe aty e kam vërejtur që nuk e kam telefonin, kam shkuar në afërsi të bankomatit për të kërkuar por nuk kam mundur ta gjejë asnjëherë. Pas kësaj kam shkuar në Polici kam kërkuar ndihmën e tyre, pasi që më morën të dhënat më thanë që do të më lajmërojnë për çdo gjë, i kam telefonuar edhe disa ditë më vonë por krejt çka kam marrë përgjigje është “nuk ka asnjë të re do të ju mbajmë të informuar për çdo gjë”, tregon për FaktePlus qytetari që ra viktime e hajnave.
Policia e pasuksesshme, nuk i gjen telefonat
Jo vetëm vjedhjet e telefonave, por edhe vjedhjet nëpër dyqane, banesa private apo nëpër shtëpi, për qytetarët e Kosovës, janë bërë dukuri mjaft shqetësues, dhe tregojnë për pasigurinë që mbizotëron në Kosovë.
Kudo ndodhesh në Kosovë janë premisat që të jesh viktimë e grabitësve, ndërsa gjësendet e vjedhura shumë rrallë edhe gjinden. Mirëpo, ajo çfarë nuk gjendet pothuajse asnjëherë dhe nuk u kthehet pronarëve janë telefonat.
FaktePlus ka kërkuar të dhëna se në sa raste janë gjetur telefonat e vjedhur, por nga Policia e Kosovës nuk është dhënë përgjigje.
Nga ky institucion i rendit e sigurisë thuhet se evidentohen të gjitha rastet sipas kodit penal, por asgjë më shumë të bëhet për zbardhjen e këtyre rasteve.
Statistikat tregojnë se sivjet janë me mijëra raste të vjedhjeve dhe tentativave për të kryer vjedhje.
Shihni tabelën e gjithë këtyre rasteve.