Kosova i ka disa mundësi për t’i zëvendësuar produktet nga Serbia, pas vendosjes së taksës prej 100 për qind, përcjell Buletini Ekonomik.
Në mesin e vendeve të CEFTA-s, sipas statistikave zyrtare, Kosova ka shkëmbim të kënaqshëm tregtar me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Këto dy vende mund të jenë një zgjidhje e shpejtë meqë Kosova kufizohet me to edhe territorialisht.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, importet nga vendet e CEFTA-së në muajin shtator 2018, arritën në 82,2 milion euro, ose 28 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 10.2 për qind.
“Vendet me pjesëmarje më të lartë për import ishin: Serbia (12.8 %), Shqipëria (6.7%), Maqedonia (5.4%) dhe B&H (2.6%)”, thuhet në raportin e ASK-së “Tregtia e Jashtme për muajin shtator 2018”.
Po ashtu, Kosova importon sasi të mëdha të mallrave edhe nga disa vende të Bashkimit Evropian.
Për muajin shtator 2018, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 124,0 milion euro, ose 42.2 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 19.6 për qind.
“Importet me pjesmarje me të lartë ishin nga: Gjermania (10.1%), Italia (5.9%), Spanja (3.7%), Greqia (3.4%), Sllovenia (2.9) etj”, thuhet në raport.