Këto janë marrëveshjet që pritet të arrihen mes Kosovës dhe Shqipërisë

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë do të mblidhen të hënën, sot, më 26 nëntor në mbledhjen e përbashkët, e cila mbahet në Pejë.

Pas zotimit për unifikimin e doganave, Kosova dhe Shqipëria pritet të aprovojnë edhe kërkesën e kahershme të Bashkimit Evropian për heqjen e tarifës së shërbimit të romingut, në kuadër të telekomunikimit ndërmjet këtyre dy shteteve.

Bashkimi Evropian u ka kërkuar të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor që të heqin këtë tarifë, si formë lehtësimi për komunikimet mes qytetarëve.

Reklama e sponzorizuar

Tarifa e Romingut nënkupton telekomunikimin dhe shërbimin që qytetarët e përdorin në një vend tjetër nga një qendër e operatorit të telefonisë mobile. Këto tarifa janë kryesisht dyfish më të larta sesa ato që përdoren për telekomunikim brenda një shteti.

Për heqjen e tarifave të romingut në muajin qershor edhe Kuvendi i Kosovës kishte miratuar një rezolutë të veçantë.

Ekspertë të fushës së telekomunikimit dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit, theksojnë se marrëveshja për heqjen e romingut në telekomunikim ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është në dobi të qytetarëve dhe bizneseve.