Tenderi milionësh nëpër gjykata, policët e Kosovës rrezikojnë të mbesin pa ushqim

Jo rrallë herë ka ndodhur që të bëhen manipulime në dhënien e tenderëve dhe në përzgjedhjen e kompanive.

Madje në institucione të ndryshme ka pasur raste ku edhe janë kurdisur kushtet e tenderëve vetëm për t’iu përshtatur kompanive të cilat Autoritetet Kontraktuese duan t’i favorizojnë të pëlqyerit e tyre.

E “lufta” për tender po shkakton vonesa të mëdha në kryerjen e shërbimeve nëpër institucionet e ndryshme.

Reklama e sponzorizuar

Së fundmi është Policia e Kosovës ajo që nuk deshi t’ia di për Ligjin e Prokurimit Publik (LPP), në tenderin për furnizim me ushqim për punonjësit e këtij institucioni.

Tash e katër muaj, Policia e Kosovës nuk ka arritur t’i jap fund këtij tenderi, raporton Agjencia e Lajmeve FaktePlus.

Ani pse në këtë tender, fitues kishte dalë operatori ekonomik “Beni Dona Plast” që e ‘zotëron’ këtë tender tash e 15 vite, tani diçka nuk shkoi mirë.

Policia e Kosovës e drejtuar nga drejtori Rashit Qalaj, mori vendim që ta anuloj vendimin për dhënien e tenderit kësaj kompanie. E me 16 janar 2020-të, Autoriteti Kontraktues, Policia e Kosovës, ka marrë vendim që ta kthejë lëndën në rivlerësim.

Tenderi i quajtur “Furnizim me ushqim për PK-në-Ri-Tender” ishte planifikuar t’i kushtojë Policisë së Kosovës hiç më pak se 1 milion e 140 mijë e 16 euro e 40 cent.

E kompania “Beni Dona Plast” Sh.P.K kishte ofertuar në këtë tender me çmim 944 mijë e 150 mijë euro.

Por veç kësaj kompanie ishin edhe 3 kompani tjera të cilat ia kishin mësyrë e përpiqeshin që ta merrnin tenderin tre vjeçar të këtij institucioni.

Meqenëse, Policia e Kosovës, kishte marrë vendim që ta anulonte vendimin për tender dhe që lënda të kthehet në rivlerësim bëri që kompania “e pëlqyer” e Policisë së Kosovës të nxirrte kthetrat.

Kjo kompani nisi një sërë ankesash tek “Gjykata e Tenderëve”, nga e cila siç shihet mori përkrahjen.

Mirëpo kompania tjetër ofertuese e këtij tenderi e që ka mbet e vetmja në garë, “Galla” Sh.P.K ka ngritur hipoteza se medoemos “të mëdhenjtë” po duan që “Beni Dona Plast” ta marrë këtë tender.

Pronari i “Galla” Sh.P.K, Zekë Rexhepi thotë se nuk do të hesht siç tha ai karshi këtij manipulimi.

Rexhepi ka treguar për FaktePlus se kompania e tij është e vetmja në garë për tenderin më ushqim.

Ai ka thënë se rivlerësimi i tenderit do të behët për kompaninë e tij dhe të Beni Donës, pasi sipas tij, kompanitë e tjera që kanë qenë në garë janë tërhequr.

“Kjo është edhe njëra nga mënyrat se si po luhet me këtë tender. Po i detyrojnë kompanitë që të lodhen dhe që me pas ato të tërhoqën nga gara”, thotë Rexhepi derisa tregon se ai nuk do të ndalet deri në fund.

“Unë nuk do të dorëzohem. Do t’i shkojmë deri në fund këtij tenderi. Me çdo gjë jam në rregull. Garantoj edhe cilësi në shërbime dhe ushqim, kjo pasi kompania dhe restorant im është i njohur ndërkombëtarisht”, tha ai.

Rexhepi shpreh dyshime se dikush qëllimisht po tenton që këtë tender t’ia jap përsëri Beni Donës, e cila tash e 15 vjet “shpërblehet” më këtë tender milionësh.

“Unë i kam dyshimet e mija se ‘Beni Dona Plast’ po favorizohet. Kam dyshime se edhe specifikat e tenderit i janë përgatitur kësaj kompanie”.

Zeka thotë se tash është në pritje të vendimit që do ta marr OSHP pasi procesi është në rivlerësim, por bën me dije se nëse Beni Dona shpallet fituese, përsëri do të ankohet.

Agjencia e Lajmeve FaktePlus, ka tentuar të marrë edhe një deklaratë nga pronari i “Beni Dona Plast”, Ragip Mustafa, mirëpo ai nuk ka qenë i gatshëm të deklarohet rreth kësaj çështje.

Ndërkaq, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) tashmë ka urdhëruar për të dytën herë Policinë e Kosovës që ta rivlerësoj këtë tender duke ia bërë me dije edhe nenet e Ligjit të Prokurimit Publik që duhet respektohen.

“Beni Dona Plast” u ankua që Autoriteti Kontraktues, në këtë rast Policia e Kosovës, ka shkelur nenin 1, 2, 6, 59, 62 dhe 105 të Ligjit të Prokurimit Publik si dhe nenet 40,41 dhe 44.5 të RROUPP-S, të cilat shkelje i kishte vërtetuar edhe Paneli Shqyrtues i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Nga këtu, i ishte kërkuar Policisë që ta rivlerësoj dhe njëherë këtë tender. Por Policia e Kosovës nuk deshi t’ia di për rekomandimet e ekspertëve të Panelit Shqyrtues.

“AK i ka përsëritur arsyet e njëjta për anulimin e aktivitetit të prokurimit, prandaj nga kjo që u cekë më lartë është plotësuar kërkesa ligjore që çështja në fjalë të kualifikohet ‘Res Judicata’, andaj sipas Nenit 105 paragrafi 2 pika 16 i cilëson ‘Res Judicata’, ‘në rastet e përsëritura me pretendimet e njëjta ankimore, kur objekti i kontestit dhe palët janë të njëjta, për rastet të cilat janë shqyrtuar më parë, kryetari i panelit shqyrtues duhet ta trajtoj si çështje të gjykuar ‘Res Judicata”. Pas këtyre argumenteve të prezantuara më lartë, eksperti shqyrtues vlerëson se Autoriteti Kontraktues me rastin e marrjes së vendimit për anulimin e aktivitetit të prokurimit për herë të dt ka bërë shkelje të nenit 59-të të Ligjit të Prokurimit Publik dhe nenin 41 RRUOPP”, thuhet nga eksperti shqyrtues.

OSHP, përmes një shkrese zyrtare kishte njoftuar Policinë e Kosovës lidhur me mendimin e ekspertit, por policia heshti dhe nuk iu ktheu asnjë përgjigje.

“Autoriteti Kontraktues me rastin e anulimit të këtij aktiviteti të prokurimit për herë të dynd, nuk ka zbatuar vendimin e OSHP-së, PSH-së, nr. 604/19, të datës, 23.10.2019 të cilin aktivitet të prokurimit e ka tenderuar dy herë, Autoriteti Kontraktues nuk e ka arritur qëllimin e parapri në këtë aktivitet të prokurimit, si është parapri në nenin 1 të LPP-së”, thuhet mes tjerash në urdhëresën e OSHP-së.

Në bazë të shqyrtimit të ankesave, Paneli Shqyrtues ka ardhur në përfundim se Policia e Kosovës në këtë aktivitet të prokurimit nuk

“Paneli shqyrtues me vendimin PSH.nr.604/19, i protokolluar me datë 23.10.2019, vjen në përfundim se ekzaminimi, vlerësimi dhe krahasimi i tenderëve nuk është bërë konform nenit 59-të të LPP-së dhe njëkohësisht nuk është respektuar edhe nenit 62 i LPP-së dhe neni 41 dhe 44.5 RRUOPP sepse arsye e ka anuluar-përfunduar aktivitetin e prokurimit në fjalë. Prandaj, obligohet autoriteti kontraktues që gjatë rivlerësimit të ofertave dhe në të ardhmen t’i përmbahet në detaje të gjitha dispozitave të LPP-së, kërkesave të dosjes së tenderit dhe të njoftimit për kontratë. Prandaj duke u nisur nga faktet e cekura si më lart AK-ja, obligohet të respektojë vendimin e mëparshëm të panelit”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Kjo e fundit tanimë ka urdhëruar Policinë e Kosovës ta zbatojë vendimin e saj.

“Obligohet, autoriteti kontraktues, Policia e Kosovës, që të zbatojë vendimin e OSHP-së me numër: PSH.nr.604/19, i protokolluar me datë 23.10.2019, përkitazi me aktivitetin e prokurimit me titull ‘’furnizim me ushqim për PK-në Ritender, rivlerësim, të iniciuar nga Autoriteti Kontraktues-Policia e Kosovës”, thuhet në urdhëresën e OSHP-së.

Ndërkaq, Policia e Kosovës me 27.11.2019 refuzoi kërkesën e “Beni Dona Plast” Sh.P.K

“Refuzohet kërkesa për rishqyrtim e OE “Beni Dona Plast”, lidhur me aktivitetin e prokurimit lidhur me aktivitetin e prokurimit ‘furnizim me ushqim për PK-në Ritender, Rivlerësim, të iniciuar nga Policia e Koosvës. Vërtetohet vendimi për anulim i AK-Policia e Kosovës lidhur me aktivitetin e prokurimit dhe Policia e Kosovës vazhdon tutje me procedurën e prokurimit”, thuhet në refuzimin e kërkesës.

Në këtë shkresë, Policia e Kosovës ka renditur mangësitë e kompanisë “Beni Dona Plast” të cilat pamundësojnë realizimin e një kontrate të mirëfilltë.

FaktePlus ka dërguar pyetje në Policinë e Kosovës lidhur me këtë tender, por edhe pse kaluan pesë ditë nuk është kthyer përgjigje.