Ruzhiq: Vlera e mallrave serbe në Kosovë sivjet do të arrinte në 500 milionë euro

Ministri serb i Administratës dhe Vetëqeverisjes Lokale, Branko Ruzhiq, pasi e ka ‘këshilluar’ Brukselin të mos merret me direktiva, por të ndërpresë taksën e Kosovës, e ka cilësuar hap të të dëshpëruarit dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe Marrëveshjen e CEFTA-s vendosjen nga Kosova të taksës 100 për qind për produktet serbe, transmeton Koha.net.

Ai është shprehur ai në “TV Prva”, “vendimi i Prishtinës është me prapavijë politike duke pasur parasysh faktin se qytetarët të cilët jetojnë në Kosovë janë konsumatorë tradicionalë të ‘Jafa-s’ e ‘Plazma-s’… dhe se plasmani i këtyre mallrave sivjet do të duhej të arrinte në 500 milionë euro. Ata bënë veprimin e të dëshpëruarit kur nuk u pranuan në Interpol, një gjë që është në kundërshtim me Marrëveshjen e CEFTA-s dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit që vetë i kanë nënshkruar”.

Ruzhiqi ka shtuar se “nuk është punë për Brukselin të japë rekomandime dhe të tërheqë vërejtje, por, nëse duan aq shumë, le ta shfuqizojnë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit”.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tij, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në SHBA “ka marrë mesazh të qartë për taksën, por tani shtrohet pyetja a do të mundet me autoritetin e tij ta bëjë këtë në Qeverinë e Kosovës”.

“Ata më shumë e dëgjojnë Washingtonin sesa Brukselin që është kompetent për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit”, ka thënë ai, transmeton Koha.net.