Më shumë se 220 mijë qytetarë të Kosovës kanë emigruar në dekadën e fundit, thuhet në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Kjo shifër, sipas demografëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, konsiderohen mjaft shqetësuese.
Numri më i madh i qytetarëve, të cilët kanë emigruar nga Kosova gjatë periudhës 2010-2018, u shënua në vitin 2015, kur nga Kosova u larguan mbi 75 mijë qytetarë. Më pas në vitin 2016 dhe 2017, emigrimi kishte shënuar rënie, ndërsa në vitin 2018, ka pasur përsëri rritje të emigrimit, përkatësisht mbi 28 mijë persona vendosën të ikin nga vendi. Agjencia e Statistikave të Kosovës, nuk i ka të publikuara ende shifrat për vitin 2019.
Në të dhënat zyrtare të emigrimit janë të përfshira emigrimi në mënyrë të rregullt dhe ai i parregullt.
Vendet ku qytetarët e Kosovës kanë emigruara më së shumti gjatë viteve 2010 – 2018 janë Gjermania, Franca, Austria, Kroacia e shtete të tjera.
Për periudhën 2016-2018 vlerësohet se Kosova ka humbur rreth 2 për qind të popullsisë së vendit.
Gjermania, Sllovenia dhe Kroacia, sipas një raporti të fundit mbi migrimin të Ministrisë së Punëve të Brendshme, janë shtetet që rezultojnë me një rritje të dukshme të pranimit të qytetarëve kosovarë për qëllime punësimi gjatë vitit 2018.
Ndërkohë më 1 mars 2020, pritet të hyjë në fuqi Ligji gjerman për fuqinë punëtore, i cili rregullon me detaje ardhjen e fuqisë punëtore nga vendet jashtë Bashkimit Evropian.
Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, Demush Shasha nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), thotë se mund të ketë një fluks edhe më të madh të të rinjve nga Kosova dhe vendet më pak të zhvilluara, që do të lëshojnë vendin.
“Ky ligj lehtëson lëvizjen e njerëzve, lëvizjen e punëtorëve për në Gjermani, ka potencial për një fluks të madh, do të presim dhe do ta shohim ndikimin që do ta ketë ky ligj”, thotë Shasha.
Disa të rinj të anketuar nga Radio Evropa e Lirë thonë se arsyeja se pse do të iknin është mungesa e perspektivës në Kosovë.
Ermira Sylejmani, studente, thotë se do ta lëshonte Kosovën për shkak të kushteve më të mira për punësim që ofrojnë vendet e Bashkimit Evropian.
“Këtu e kryen fakultetin dhe prapë mbetesh në shtëpi. Atje (në vendet e BE-së) të rinjve u japin mundësi më të mira sesa këtu (në Kosovë). Atje e vlerësojnë një student i cili i përfundon studimet, e këtu në Kosovë jo”, thotë Ermira.
Abedin Hoxha, një i ri nga Prishtina, thotë se do të shkonte për punë në ndonjë nga vendet e BE-së dhe atë vetëm për një kohë të caktuar, jo përgjithmonë.
“Ta lëshoj Kosovën përgjithmonë jo, por, për një mundësi më të mirë do të shkoja për një kohë. Do të shkoja për një punë më të mirë, për një të ardhme më të mirë, p.sh në Gjermani do të shkoja të punoj për një kohë. Gjermania të ofron perspektivën më të mirë, por Kosova t’i ofron të tjerat të mira, e ke shtëpinë tënde, familjen e shumë të tjera”, thotë ai.
Numri në rritje i të rinjve për të lëshuar Kosovën, thotë Demush Shasha nga EPIK, ka ardhur si pasojë e zhvillimeve jo të mira ekonomike, politike dhe sociale që po e përcjellin Kosovën.
Në një anketë të Programit për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), të quajtur “Pulsi publik”, e cila ishte publikuar në vitin 2019, pati vënë në pah se më shumë se gjysma e të gjithë të anketuarve në Kosovë kanë deklaruan se çështjet më të mëdha me të cilat ballafaqohet Kosova janë të lidhura me korrupsionin dhe kushtet socio-ekonomike.
Rreth 50 për qind e të anketuarve janë deklaruar ose të pakënaqur ose shumë të pakënaqur me drejtimin aktual politik të Kosovës.
Po ashtu, sipas kësaj ankete të UNDP-së, thuhet se afërsisht gjysma e popullsisë nuk i sheh proceset demokratike në Kosovë nën dritën pozitive dhe as për ekonominë nuk ka pikëpamje pozitive.
Në tre vjetët e fundit edhe bizneset në Kosovë kishin theksuar se edhe përkundër nivelit të lartë të papunësisë në Kosovës, kanë pasur mungesë të punëtorëve.
Ata kishin thënë se kanë pasur probleme në gjetjen e punëtorëve në sektorin e ndërtimtarisë, në hotelieri dhe në disa sektorë ku punohen punë sezonale.
Numri i qytetarëve të Kosovës që jeton jashtë vendit, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, deri në fund të vitit 2018, vlerësohet të jetë mbi 850 mijë banorë.
Demografi Rifat Blaku thekson se në bazë të projeksioneve demografike dhe në bazë të qarkut të emigrimit aktual në regjistrimin e popullsisë që do të bëhet në vitin 2021, Kosova do të ketë një numër më të vogël të popullsisë nga 1.7 milion, sa ishin në regjistrimin e fundit të bërë në vitin 2011.
“Ikja, braktisja së bashku me rënien e lindjeve janë dy ngjarje, zhvillime dhe përjetimet më të rënda të shoqërisë shqiptare meqë bëhet fjalë për tkurrjen e popullsisë, kapitalit më të shtrenjtë kombëtar. Kështu që, duhet më në fund këto të hyjnë në planet e zhvillimit të mesëm dhe afatgjatë. Unë kujtoj që shoqëria shqiptare dhe institucionet e Republikës, duhet që dekadën 2020-2030 ta shpallin si dekadë të krizës, respektivisht të ndërgjegjësimit demografik”, thotë Blaku.
Emigrimi i lartë edhe sipas një raporti të Ministrisë së Punëve të Brendshme thuhet se do të ndikojë edhe në strukturën e popullsisë në vitet vijuese, pasi që vlerësohet se pjesa dërmuese e emigrimit në vitet e fundit, kishte përfshirë grupmoshat e reja kryesisht 25-44 vjeç.