Këto aviokompani dominuan fluturimet për Kosovë

Transportuesit me kosto të ulët dominuan pjesën më të madhe të trafikut të Aeroportit të Prishtinës në vitin 2019. Siç mëson Buletini Ekonomik, Eurowings, easyJet dhe Wizz Air së bashku patën afro një milion udhëtarë. Në total, Aeroporti i Prishtinës pati 2,373,698 udhëtarë në vitin 2019.

Eurowings, i cili ka një aeroplan me bazë në Prishtinë dhe nisi një numër linjash në vitin 2019, ka pas numrin më të madh të udhëtarëve. Aviokompania pati 343,701 udhëtarë, që paraqet një rritje prej 109.6% nga viti paraprak. 

EasyJet doli në vendin e dytë, duke mirëpritur 268,694 udhëtarë në bordin e aeroplanëve të saj. Kjo paraqet një rritje prej 11.1% nga viti 2018.

Reklama e sponzorizuar

E treta ishte Edelweiss me 254,636 udhëtarë, një përmirësim prej 6%, dhe Wizz Air e katërta, me 253,282 udhëtarë, dhe rritje prej 153.3%. 

Transportuesi ‘tradicional’ me numrin më të madh të udhëtarëve në Aeroportin e Prishtinës ishte Turkish Airlines me 179,351 udhëtarë. Sipas analizës së Buletinit Ekonomik, shifra paraqet një përmirësim prej vetëm 0.1% në krahasim me vitin paraprak. Në përgjithësi, transportuesi turk ishte aviokompania e 6-të në aeroport.

Gjatë vitit 2019, dy transportues me bazë në Prishtinë falimentuan – Adria Airways dhe Germania – të cilat patën një ndikim në renditjen e përgjithshme midis linjave ajrore që operojnë në aeroport. 

Adria kishte 128,422 udhëtarë në 10-të muajt e parë të 2019, ndërsa Germania, e cila pushoi së funksionuari në fillim të shkurtit, mirëpriti 24,789 udhëtarë. 

Vlen të theksohet se në vitin 2018, transportuesi gjerman, Germania, kishte pozitën e parë nê Prishtinë me 321,499 udhëtarë, ndërsa Adria ishte i shtati me i ngarkuari me 157,931 udhëtarë. 

Nga ana tjetër, shumica e linjave të tjera ajrore panë që shifrat e tyre të përmirësohen në Prishtinë, ndër të cilat ishin Pegasus Airlines, Norwegian Air Shuttle, Austrian Airlines, Swiss Air Lines International dhe SAS Scandinavian Airlines. /Buletini Ekonomik/